Lajme Arkiva – TV Klan 2003

U cilësuan fajtor nga organi i akuzës 6 punonjësit e burgut të sigurisë së lartë 302 në Tiranë, për tentativën e arratisjes së disa të dënuarve, mes tyre edhe i mbiquajturi Gaxhai. Për ngjarjen e cila ndodhi në verën e vitit të kaluar, prokuroria ushtarake urdhëroi arrestimin e gardianëve dhe punonjësve, të cilët nuk kishin ushtruar kontroll në qelitë e Gaxhait dhe miqve të tij.

Ata u akuzuan për shpërdorim detyre dhe shkelje të rregullores së burgut. Dënimi më i lartë u kërkua për dy gardianët Kujtim Gjura dhe Kujtim Dervishi, secili me nga tre vjet heqje lirie. Ndërsa për të akuzuarit e tjerë 5 vjet e 9 muaj gjithsej burg.

Vetëm disa javë më parë, trupi gjykues ushtarak, dënoi me nga dy vjet heqje lirie Gaxhain dhe të akuzuarit si bashkëpunëtorë të tij, por në bashkim me dënimet e mëparshme që ata janë duke vuajtur aktualisht, të dënuarve nuk iu shtua ndonjë ditë më tepër burg. Brenda këtyre ditëve, i njëjti trup gjykues do të japë edhe vendimin për gardianët përgjegjës./tvklan.al