Një gomone me 34 emigrantë ka shpërthyer në flakë në mes të Detit Mesdhe. Videoja dramatike është filmuar dhe postuar online nga forcat ajrore portugeze.

Të gjithë emigrantët në bordin e gomones që mori flakë pranë brigjeve spanjolle përfunduan në det, por fatmirësisht nuk pati viktima.

Autoritetet portugeze pikasën gomonen gjatë një misioni monitorimi për FRONTEX, Agjencinë Evropiane të Kufijve dhe sigurisë bregdetare.

Disa anije u mbërritën në ndihmë emigrantëve që u hodhën në det në përpjekje për të shpëtuar jetën. “CNN” tha se shkaku pse gomonia shpërtheu në flakë nuk dihet ende.

Të martën, OKB-ja tha se vetëm gjatë këtij viti në Detin  Mesdhe janë mbytur ose janë zhdukur më shumë se 1700 persona.

Deti Mesdhe është kthyer në një varr masiv për emigrantët që përpiqen të arrijnë brigjet evropiane nga Afrika dhe Lindja e Mesme.

Javën e kaluar një anije druri me 500 emigrantë në bord u godit nga një dallgë e madhe duke bërë që pasagjerët instinktivisht të kalonin në njërën anë të anijes. Roja Bregdetare Italiane tha se anija u anua në det dhe 200 persona përfunduan në det, 34 prej të cilëve u mbytën. /tvklan.al