Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Leku ka shënuar mbiçmimin rekord të 5 viteve të fundit. 1 dollar është shkëmbyer gjatë këtyre ditëve me 100 lekë, duke shënuar nivelin e ‘98. Mbiçmimi i lekut është shfaqur edhe ndaj euros. Sipas Gramoz Pashkos, vlerësimi i dukshëm i lekut vjen si pasojë e ndikimeve ndërkombëtare dhe nuk reflekton rritjen ekonomike brenda vendit.

Gramoz Pashko: “Nuk është fakti që ekonomitë tona janë duke u rritur dhe kanë një rritje relativisht të madhe dhe kjo po ndikon në forcimin e monedhës, mua më duket që është një llogaritje jo fort e qartë, nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë. Unë do të thosha, që faktori kryesor që ka ndikuar është ajo që po luhet në tregun botëror në raportet midis dy ekonomive më të mëdha, që janë Amerika dhe ndoshta pjesa tjetër e botës Japonia, Kina dhe Europa, zona e euros”.

Sipas pashkës, mbiçmimi i lekut pritet të jetë i përkohshëm dhe ka ardhur si pasojë e rritjes së prodhimit bujqësor dhe sezonit turistik.

Gramoz Pashko: “Këtë vit, ka disa shenja që bujqësia po ecën mirë, dmth. ka një rënie të produkteve të importeve të produkteve bujqësore, ka filluar sezoni turistik, ka një hyrje të fluksit në valutë, gjë që ka ushtruar njëlloj presioni mbi kërkesën për valutë të huaj”.

Mbiçmimi i lekut rrezikon seriozisht eksportet shqiptare duke i bërë më të shtrenjta. Të rrezikuar nga mbiçmimi i lekut mbeten sipas analistëve dhe përdorimi i kredive në valutë, që përbën pjesën kryesore të kreditimit të ekonomisë shqiptare./tvklan.al