Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, e vlerësoi si të nxituar dhe të njëanshme deklaratën e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Osmo Lipponen. Një ditë më parë kreu i prezencës së OSBE-së shprehu keqardhjen për prishjen e konsensusit mes pozitës dhe opozitës mbi ligjin për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronave.

Sipas ambasadorit Lipponen, mungesa e frymës konsensuale mes demokratëve dhe socialistëve i mbylli rrugë debatit të hapur, duke bërë që aprovimi për nenet e fundit të këtij ligji, të ishte i vështirë.

Gramoz Ruçi: “Shprehim habinë tonë, për disa nga vlerësimet që përmban deklarata e djeshme e ambasadorit Lipponen, të cilat ne i konsiderojmë të njëanshme dhe njëherësh të nxituara. Të gjitha amendamentet e propozuara janë bërë në përputhje të plotë me rregullat e Kuvendit të Shqipërisë dhe përmbajtja e tyre respekton plotësisht parimet kushtetuese të vendit. Ato respektojnë frymën dhe parimet e ligjit. Objeksionet dhe ndërhyrja e kreut të prezencës së OSBE-së për procedurat parlamentare, na duken tejet të pabazuara. Ne dëshirojmë të besojmë, se vlerësime të tilla bazohen në informacione të pjesshme dhe në interpretime të njëanshme dhe si të tilla, ato mund të kenë efekte negative, që nuk do t’i shërbenin rritjes së besimit për zbatimin dhe për implementimin e ligjit”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj