Lajme Arkiva 2003

Kryetari i kuvendit Servet Pëllumbi i është përgjigjur presidentit të republikës se është e pamundur të realizohet mbledhja e parlamentit përpara datës 12 tetor.

Të njëjtën gjë deklaroi edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi sipas të cili Kuvendi e shqyrtoi dy herë aktin normativ të qeverisë, por opozita refuzoi diskutimin dhe miratimin e tij.

Gramoz Ruçi: Unë nuk e kuptoj se çfarë do të zgjidhë seanca e parlamentit, në planin formal apo të përmbajtjes së çështjes, së dyti në planin procedural me kushtetutë, akti normativ është në fuqi.

Gazetarja: Duke patur parasysh këshillat e herë pas hershme të ndërkombëtarëve a mendoni se mund të realizohet një ndryshim i mundshëm qoftë me anëtarët e KQZ-së qoftë me zonjën Subashi apo me ndonjë tjetër?

Gramoz Ruçi: Qëndrimet tona i kemi bërë publike lidhur me KQZ-në. KQZ-ja për mua është kushtetuese, është ligjore, është e balancuar. Ajo do ta vazhdojë rinovimin e tij në përputhje me kodin elektoral dhe në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë.

Pas deklaratave kritike të procesit zgjedhor të eurodeputetes Doris Pack, Gramoz Ruçi deklaroi se edhe Partia Socialsite, ruan të njëjtën gjatësi vale me të.

Gramoz Ruçi: Të njëjtën gjatësi vale më atë vlerësim dhe me atë shqetësim që kemi edhe ne në Shqipëri për vlerësimet, gjykimet e Doris Pack-ut në Bruksel dhe besoj se është shumë i qartë pozicioni i Partisë Socialiste është objektivi parësor i zgjedhjeve të lira demokratike të gjithë pranuara sipas standardeve të organizmave ndërkombëtare.

Në prag të procesit zgjedhor, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste mblodhi kryetarët e partisë në rrethe të cilëve u kërkoi që të vendosin njerëz të aftë dhe që zbatojnë ligjin në KZQV.

Sipas Ruçit çdo komisionarë që do të veprojë ndryshe do të largohet jo vetëm nga komisioni, por edhe nga Partia Socialiste./tvklan.al