Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetarët dhe sekretarët e PS në rrethe kanë raportuar, si dhe kanë marrë direktivat nga nr.2 i PS Gramoz Ruçi, me bilancin e kuvendimit të madh me elektoratin, si dhe fushatën për zgjedhjet e reja brenda strukturave të partisë. Në përfundim të mbledhjes, sekretari i përgjithshëm bëri të ditur se nuk u diskutua mbi protestat e opozitës në rrethe, duke i cilësuar ato agjendë të PD.

Ruçi tha, se nuk është detyra e opozitës të dalë me protesta dhe të kërkojë largimin e kryeministrit. Ajo duhet të ndjekë rrugën institucionale, si dy muaj më parë kur u rrëzua kjo kërkesë e opozitës.

Gramoz Ruçi: “Nuk ka të drejtë askush, që të marrë përsipër të thotë, unë bëj zgjedhje demokratike më mirë se sa ti. Në qoftë se ti i bën më mirë se sa mua, nesër do të zhvillohen zgjedhjet me atë kod elektoral që do të miratojmë bashkërisht, me ato institucione kushtetuese dhe ligjore që dot përmbajë ai kod elektoral që do të miratojmë dhe kjo kushtetutë që kemi dhe kushtetuta e Shqipërisë, nuk i lë vend absolutisht ekzekutivit, për të pasur ndikim pozitiv apo negativ, urojmë edhe shpresojmë, që pas 14 vjetësh demokraci, të ndodh edhe një herë që opozita shqiptare të pranojë humbjen. Se e thashë unë, besoj që, në qoftë se unë do të rezultojë humbës do ta pranojë unë, por s’ka për të ndodhur”.

Gramoz Ruçi komentoi dhe shqetësimin e bazës socialiste pas zgjedhjeve lokale, kur në bashkitë apo komunat e fituara nga opozita është shfaqur fenomeni i shkarkimit të shumë punonjësve të administratës./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj