Për të 10-in vit radhazi Forbes ka të njëjtin emër sa i përket gruas më të fuqishme në botë: Kancelaren gjermane Angela Merkel. Revista përpilon listën e lidereve femra me më influencë në të gjithë globin, në sektorë ku përfshihen politika, biznesi e showbizi.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde u rendit në vend të 2, pozicion që kishte edhe në 2019-n, ndërsa një vit më herët, renditej në vendin e 3.

Zv/presidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris është ajo që zuri vendin e 3, duke zëvendësuar Nancy Pelosi-n, e cila nga vendi i 3 që qëndronte në 2019-n, këtë vit pozicionohet në vend të 7.

Në vendin e 4 u rendit Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ndërsa filantropja Melinda Gates u rendit në vendin e 5.

Në listën e 2020-s ka shumë emra të njohur, përfshirë Mbretëreshën e Britanisë, Elizabeth II, e cila në raport me vitin 2019, humbi 6 pozicione, duke u renditur në vendin e 46.

Ngjitje në klasifikim pati Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila nga vendi i 38 që mbante një vit më parë, tanimë renditet e 32-ta./tvklan.al