Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Havier Solana vizitoi sot për disa orë Kosovën për herë të fundit në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Natos. Axhenda e tij ka qenë mjaft e ngjeshur kur ka patur takime me drejtuesit civil ndërkombëtar, përfaqësues të shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës. Gjatë këtyre bisedimeve vëmendja është përqëndruar tek situata aktuale, çështjet e sigurisë dhe rindërtimit të krahinës së shkatërruar nga lufta.

Sekretari Solana u ka bërë thirrje serbëve dhe nacionaliteteve të tjera që ata të inkuadrohen në Trupat e Kosovës, në dobi të paqes dhe stabilitetit. Pas mesditës Havier Solana i shoqëruar nga komandanti i përgjithshëm i KFOR Majkëll Xhekson, ka shkuar në afërsi të Petrovacit ku është takuar me Komandantin Suprem të Natos për Europën, Gjeneralin Amerikan Uesli Klark.

Më pas ata i janë drejtuar Bosnjes ku kanë zhvilluar takime me gjithë drejtuesit civil e ushtarak të saj. Ndërkaq serb të Fushë Kosovës për të dytën ditë me radhe mbajnë të bllokuar rrugën Prishtinë – Pejë.

Sipas shtypit Kosovar të dielën janë vrarë dy shqiptar një në Mitrovicë dhe një në Prishtinë. Ndërkohë pritet që brenda kësaj jave Hashim Thaçi të shpall krijimin e formacionit të tij politik PDK./tvklan.al