Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Policia po kryen ende veprime në disa pista hetimore, lidhur me dy vrasjet më të bujshme të ndodhura në Tiranë, dy javët e fundit. Atentati ndaj Fatmir Ramës, të mbiquajturit Miri i Xhikes tek kartodromi në periferi të kryeqytetit, dyshohet tashmë ndër të tjera dhe tek një hakmarrje e vjetër.

Ndërkohë pas vrasjes së biznesmenit Florian Vila ndodhur tre ditë më parë në të hyrë të Tiranës, policia ngriti menjëherë disa pista hetimi. Njëra prej tyre është edhe ajo e vënies së gjobës dhe mos marrjes seriozisht të saj nga ana e viktimës, për ta paguar apo denoncuar në polici.

Sipas ekspertëve të krimit, kjo lloj vrasje kryet apo urdhërohet nga persona, të cilët përdorin gjobëvënien, si mjet përfitimi. Sipas ekspertëve, kryerja e vrasjes së një biznesmeni të fuqishëm, përdoret më pas si presion dhe shembull për biznesmenët e tjerë, duke u përcjellë atyre mesazhin se do të kenë të njëjtin fund, në rast se nuk binden. Fakti që viktima Florian Vila, sipas konfirmimit të policisë, nuk ka pasur precedentë dhe nga ana tjetër, duke qenë një taksapagues i rregullt ndaj shtetit, po i bind ekspertët e hetimit, se kjo është një vrasje e pastër për mospagim gjobe.

Punonjësit e policisë pohojnë, se jo në pak raste, tregtarët marrin përsipër t’i zgjidhin vetë problemet e këtij tipi dhe nuk arrijnë të bëjnë denoncimin në organin procedues, apo të kërkojnë ndihmën e policisë. Deri tani nuk ka pasur të ndaluar, si të dyshuar për autorësinë e krimit, ndërkohë që nuk përjashtohen dyshimet edhe për pista të tjera.

Edhe pse dy ngjarjet e fundit janë hetuar nga prokurorë të ndryshëm dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, burime të rezervuara policore pranojnë, se gjatë këtyre ka pasur kryqëzim të elementëve caktuar dhe të përbashkët. Kjo ka sjellë që ndonëse jo zyrtarisht, hetuesit të marrin në konsideratë faktin, se vrasjet mund të jenë bërë apo urdhëruar nga të njëjtët persona.

Mënyra e kryerjes së krimit në të dy ngjarjet është cilësuar mjaft profesioniste, secila në llojin e vetë. Megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, nëse bëhet fjalë për të njëjtin autor apo urdhërues për të dy vrasjet./tvklan.al