Lajme Arkiva 2003

E përbashkëta e hetimeve për dy vrasjet e bujshme të ndodhura së fundi në Tiranë qëndron  në faktin se secili prej të dyshuarve si autorë ka kryer krime të rënda më parë. Duket se këta precedente prokuroria dhe policia do ti shfrytëzojë për të zbardhur hetimet e dy ngjarjeve të fundit.

Kështu burime nga Prokuroria e Tiranës kanë pohuan se Petrit Lleshi i ndaluar disa ditë më parë ka aktualisht tre dosje në organin e akuzës. Njëra prej tyre është për kanosje, njëra për tentativë vrasje ndaj dy personave dhe e fundit për armëmbajtje pa leje.

Pikërisht për armëmbajtje pa leje Lleshi u arrestua nga policia, ndonëse ka shumë dyshime se ai është njëri nga autorët e vrasjes së biznesmenit Florian Vila. Edhe pse mjaft të rezervuar lidhur me pistat hetimore të kësaj ngjarje, Prokuroria e Tiranës i ka qëndruar idesë se njëra prej tyre është konkurrenca, duke e përjashtuar kështu deklaratën  e ministrit Luan Rama, i cili deklaroi se kjo pistë nuk ekziston më.

Nga ana tjetër për vrasjen e ndodhur te kartodromi në fund të muajit mars,  pohohet se ka dyshime për një nga autorët, por urdhri i arrestit ndaj këtij personi emri i të cilit nuk bëhet i ditur, nuk ka lidhje me vrasjen e Fatmir Ramës.

Burime të Prokurorisë së Rrethit thonë se ai akuzohet për një tjetër krim të rëndë dhe urdhrin e arrestit nuk e ka nxjerrë Prokuroria e Tiranës. Gjithsesi ekzekutimi i këtij urdhri dhe prangosja e të dyshuarit do ta ndihmonte akuzën të provojë nëse dyshimet apo provat që ka aktualisht në duar vërtetojnë  autorësinë e krimit./tvklan.al