Lajme Arkiva TV Klan 2004

Policia e Tiranës po heton në lidhje me një grabitje me armë, e cila dyshohet të jetë kryer nga efektivë të Gardës. Ditë më parë, dy shtetas që po lëviznin në zonën pranë Kopshtit Zoologjik me një mjet Benz, janë kërcënuar me armë nga dy persona me uniformë. Pasi kanë dalë nga makina atyre u është marrë mjeti. Nga përshkrimet e uniformës rezulton se personat grabitës janë gardistë dhe policia po heton në këtë pistë.

Gjatë muajve të fundit në kryeqytet janë shënuar mjaft raste flagrante kur uniformat kanë ekzekutuar krime të rënda dhe grabitje me armën e shtetit. Një vjedhje ordinere e një makine në Durrës përfundoi dy muaj më parë me vrasjen e një polici dhe plagosjen e kolegut të tij nga dy grabitës, efektivë të gardës. I implikuar në ngjarje rezultoi dhe një efektiv i policisë së shtetit, i cili i kishte dhënë armën me të cilën u krye goditja e dy policëve.

Gjatë një raportimi në muajin Qershor në komisionin parlamentar për rendin, ministri Toska raportoi, se nga kallëzimet penale për ish-efektivat e rendit mjaft prej tyre kishin të bënin me krime ordinere të kryer nga efektivë tashmë të përjashtuar dhe me armën e shtetit./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj