Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Hetimet për ngjarjen e Lazaratit po kryhen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me persona të specializuar të Ministrisë së Rendit, kjo për shkak të vështirësive dhe problemeve që paraqet kjo zonë. Ky është deklarimi zyrtar që vjen nga Prokuroria e Përgjithshme pak ditë pas fillimit të hetimit për ngjarjen.

Sipas zyrës së shtypit, në organin e akuzës, deri tani është bërë këqyrja e helikopterit ku janë dalluar me dhjetëra shenja plumbash, si dhe është marrë në pyetje ekuipazhi i helikopterit, pjesa më e madhe me shtetas italianë nga zyra e Interforcës në Shqipëri. Ndërkohë në Lazarat janë njohur me hetimet e deritanishme një prokuror i krimeve të rënda dhe një oficer i policisë gjyqësore.

Kaseta që ka regjistruar çastet e incidentit në Lazarat është në duart e hetuesve italianë, të cilëve njëkohësisht me prokurorinë shqiptare po kryejnë hetimet për këtë ngjarje. Organi shqiptar i akuzës konfirmoi ashtu si Ministria e Rendit, se nuk i ëhstë paraqitur ndonjë kasetë nga ana e zyrtarëve të Partisë Demokratike, të cilët pretendojnë se filmimet që ata disponojnë vërtetojnë se ekuipazhi i helikopterit ka qëlluar në drejtim të fshatarëve.

Lidhur me incidentin janë identifikuar nga policia si autorë disa persona, njëri prej të cilëve mësohet se ka precedentë të mëparshëm penal./tvklan.al