Ndeshja e parë e Shqipërisë në Euro 2024 që do të jetë kundër Italisë do të ketë një mbështetje edhe nga figurat që kanë kontribuar në futbollin shqiptar. Presidenti Armand Duka thotë në emisionin “Opinion” në Tv Klan se deri më tani, 200 futbollistë që kanë luajtur me Kombëtaren do të jenë prezent për të mbështetur ekipin kuqezi.

Armand Duka: Unë besoj se nuk janë penduar që kanë luajtur me Shqipërinë, madje janë edhe të lumtur sepse ne ia demonstrojmë mirënjohjen që kanë kontribuar për futbollin shqiptar të gjithë futbollistëve dhe fakti që ne në çdo aktivitet padyshim, që të gjithë kush ka luajtur për Kombëtaren shqiptare është prezent, madje edhe në kampionatin Europian 2016 të gjithë kanë qenë të ftuar në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës, e njëjta gjë do të ndodhë edhe tani, në ndeshjen hapëse kundër Italisë, të gjithë, kush ka luajtur për Komëbtaren shqiptare, në të gjithë historinë e saj, është i ftuar.

Blendi Fevziu: Në të gjithë historinë e saj? Sa veta kanë mbetur akoma që kanë luajtur?

Armand Duka: Po janë mbi 200 futbollistë që janë të ftuar, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ndeshjen me Italinë.

Blendi Fevziu: Që biletat janë…

Armand Duka: Jo vetëm biletat, por udhëtimin se në fund të fundit ne e kemi detyrë për ata, kontributi i tyre brez pas brezi, ditë pas dite, ndeshje pas ndeshje na ka çuar këtu.

Duka shton se mbështetja e tyre është e rëndësishme për djemtë që do të luajnë në fushë./tvklan.al