Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Humbet pa lënë gjurmë, një ndër fëmijët e mitur, shitës ambulant në rrugët e Tiranës. R.H ka dy javë që nuk është kthyer në shtëpi dhe nuk është parë nga askush. Djali 14 vjeç shiste çdo ditë bajame në rrugët e bllokut në Tiranë, si e vetmja mënyrë për t’u ushqyer vetë dhe familja e tij me tre vëllezër më të vegjël dhe dy prindër pa punë.

Prindërit tregojnë se e kanë kërkuar kudo djalin e tyre. Nëna e tij Resmia tregon, se Rolandi kthehej çdo ditë në shtëpi. Në fillim nënë e babë kanë pyetur shokët e djalit, shitës të tjerë ambulantë, por nuk kanë mundur të marrin vesh asgjë prej tyre. Më pas e kanë kërkuar në Elbasan, Durrës e Fier, tek të afërmit, por askush nuk di diçka për shitësin e vogël.

Familja ka denoncuar edhe në polici, duke dhënë fotografinë dhe ato pak informacione që ka marrë për djalin. Pas dy javësh kërkim të dëshpëruar, dy prindërit kanë kërkuar ndihmën e televizioneve. Ndërsa tani familjen Hasani e ka përfshirë ankthi se mos djali i tyre ka përfunduar në Greqi apo Itali, i rrëmbyer nga trafikantë, për t’u përdorur si lypës apo dhe më keq.

Dy prindërit kërkojnë nga policia të bëjnë të pamundurën, për të gjetur se ku ndodhet tani 14 vjeçari./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj