Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Masa të forta sigurie ka marrë policia e Tiranës, për të siguruar rend gjatë ndeshjes Shqipëri-Danimarkë. Forca të shumta policore dhe të qarkullimit rrugor, kanë siguruar stadiumin “Qemal Stafa” dhe zonën rreth tij. Patrullimet në këtë zonë kanë filluar që në orën 7 të mëngjesit.

Masat e marra kanë parashikuar kontroll të gjithë qytetit të Tiranës, duke aktivizuar shërbimet e rendit, si dhe forca të tjera policore, me qëllim për të garantuar ruajtje të rendit dhe qetësisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes. Kështu nuk do të lejohet asnjë automjet të parkohet përreth stadiumit “Qemal Stafa”, si dhe janë larguar të gjithë mjetet që ndodhen të parkuara rreth tij.

Po këto masa janë marrë dhe në sheshin “Nënë Tereza”, sheshin Italia dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në kuadër të masave anti-terror, policia do të kontrollojë të gjithë tifozët që do të hyjnë në stadium, sidomos me mjete dhe qenë anti-eksploziv. Këto masa kanë shkaktuar probleme me trafikun, sidomos në rrugën e Elbasanit, për shkak të bllokimit të disa segmenteve rrugore, pranë stadiumit “Qemal Stafa”.

Policia e Tiranës do të qëndrojë në gatishmëri 24 orëve, për të pasur nën kontroll situatën edhe pas ndeshjes./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj