Duke nisur nga kjo e enjte nis zbatimi praktik i marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë për zhvendosjen në vendin tonë të refugjatëve të shpëtuar në det nga marina e vendit fqinj.

Në portin e Shëngjinit gjithçka është gati për pritjen e tyre, ndërsa në Gjadër ende punohet ne ambientet ku ata do të strehohen në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil. Vetëm në 6 muajt e parë të këtij vitit, nga deti kanë mbërritur ne brigjet italiane rreth 25 mijë persona kryesisht nga Bangladeshi pasuar me azilkërkuesit nga sirianët, tunizianet, nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea.

Vonesa në punimet në Gjadër argumentohet për shkak të dheut të shkrifët të fushës aty bazamenti i të cilës, kërkonte përforcim. Për më tepër edhe vala e të nxehtit të Korrikut i detyroi autoritetet italiane të vendosin pushim gjatë orëve të mesditës.

Po punohet edhe instalimin e një gardhi rrethues të lartë rreth zonës prej rreth 20 hektarësh. Ndërtesat me kontejnerë që do të ofrojnë strehim për banorët e kampit janë instaluar tashmë. Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Policisë së Burgjeve Gennarino De Fazio, konfirmoi se hapja e qendrave është shtyrë për një datë të pacaktuar.

12 oficerë të policisë italiane së burgjeve duhej të niseshin për në Shqipëri në fund të Korrikut. por e gjitha është shtyrë për të paktën gjysmën e dytë të Gushtit. Ata tashmë janë përzgjedhur, dhe aktualisht po ndjekin një kurs trajnimi.

Kërkesat e azilkërkuësve kryesisht afrikane që do të sillen në Gjadër do te duhet të trajtohen në një procedurë të përshpejtuar nga autoritetet italiane që mund të zgjasë maksimumi 28 ditë. Gjithsesi sipas informacioneve në Ministrinë e Brendshme italiane ka shumë të ngjarë që këto kërkesa të refuzohen.

Në fazën e parë, transferimet për në Shëngjin do të kryhen me njësitë ushtarake detare italiane . Por duke filluar nga data 15 Shtator deri më 15 Dhjetor, udhëtimet do të kryhen në bordin e varkave private të vëna në dispozicion nga pronarët e anijeve që fituan kontratën 13.5 milionë euro.

Italia do të përballojë të gjitha shpenzimet e nevojshme për akomodimin dhe trajtimin e peronave që do të mirëpriten në mjedise, duke përfshirë ushqimin, kujdesin mjekësor dhe çdo shërbim që konsiderohet i nevojshëm për azilkërkuesit.

Vlerësohet se, nga tani deri në vitin 2028, marrëveshja për pritjen e azilkërkuesve në qendrat e ngritura në Shqipëri do i kushtojë palës italiane rreth 600 milionë euro.

Klan News