Bazuar në një studim të botuar në revistën “Lancet Public Health”, vdekjet si pasojë e temperaturave të larta do të trefishohen deri në fund të shekullit në vendet e Europës Jugore si Italia, Greqia dhe Spanja.

Studiuesit u shprehën se me ngrohjen globale, rritja e vdekjeve nga nxehtësia do të tejkalojë ndjeshëm uljen e vdekjeve nga të ftohtit. Rezultatet sugjerojnë se ndryshimi i klimës mund të paraqesë “sfida të paprecedenta” për sistemet e shëndetit publik, veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit, valë të cilat kanë ardhur duke u shtuar në të gjithë kontinentin europianë.

Nëse temperaturat rriten me 3 gradë mbi nivelet para-industriale, mund t’i marrin jetën e 129 000 njerëzve në vit. Të dhënat tregojnë se në Europë kanë humbur jetën rreth 44 mijë njerëz në vit. Por numri vjetor i vdekjeve nga i ftohti dhe i nxehti në Evropë mund të rritet nga 407 mijë njerëz aktualisht  në 450 mijë deri në vitin 2100, edhe nëse udhëheqësit botërorë arrijnë objektivin e tyre për ngrohjen globale 1.5 gradë Celsius.

Por trefishimi i parashikuar i vdekjeve nga nxehtësia në Europë nuk është e vetmja pasojë e temperaturave të larta. Gjithashtu, ndikon tek rritja e aborteve dhe problemet e shëndeti mendor.

Studiuesit inkurajojnë qeveritë të marrin në konsideratë politika për të reduktuar numrin e vdekjeve, të tilla si investimi në spitale, krijimi i planeve të veprimit. Studiuesit arritën në përfundimin se përpjekjet për t’u përshtatur duhet të fokusohen në rajonet me papunësi të lartë, varfëri, emigracion dhe popullsi në plakje.

Valët e të nxehtit janë shtuar edhe në rajonin e Ballkanit, përfshi edhe Shqipërinë. Vendi ynë gjatë këtij viti është goditur disa herë nga valët e të nxehtit duke arritur temperatura ekstreme mbi 43 gardë Celsius.

Klan News