Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ministri i Rendit Igli Toska ka paralajmëruar në Fier një fushatë goditje për trafikantët e drogës dhe pasurive të vëna nëpërmjet trafikut. Në një takim me përfaqësues të pushtetit lokal dhe komunitetit të Fierit, ministri ka cilësuar këtë zonë, si kanal të kollajshëm për trafikun e drogave të rënda.

Igli Toska: “Tashmë ndodhet në qeveri për miratim strategjia kombëtare antidrogë, jo si material teorik, por si material maticë veprimi konkretë dhe në këtë drejtim edhe qarku juaj ka shumë për të bërë, sidomos kundër kalimit transit të drogave të forta. Vilat e ngritura nën vuajtjet trupore e shpirtërore të shfrytëzimit të prostitutave, hotelet e lartësuara me skafet e klandestinëve, pallatet e shumuara nën qeskat e drogës, apo kontrabandën e naftës apo solari, do të sekuestrohen në bazë të gjitha procedurave ligjore të brendshme dhe konventave europiane ndërkombëtare, ku vendi ynë është palë”.

Toska ka sulmuar dhe strukturat e policisë lokale duke kërkuar prej tyre të mos qëndrojnë indiferent ndaj trafikantëve që qarkulojnë në Fier me Sloun. I pyetur nga TV Klan për lëvizjet e fundit në polici dhe shkarkimin e drejtorit të policisë kriminale Bizhga, ministri i rendit nuk ka pranuar të shprehet./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj