Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Katër muaj që Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive është njohur me pasuritë e publikuara nga vetë funksionarët e lartë të shteti dhe asnjë e dhënë mbi vërtetësinë e tyre nuk ka dalë. Asnjë e dhënë edhe mbi pasurinë e kryeministrit, i cili ka kërkuar vetë të hetohet.

Inspektorati thuhet se punon çdo ditë, por drita e verifikimeve të bëra nga poseduesit e këtyre pasurive nuk po shihet. Zonja Laska ka pohuar se do të merret vetëm me verifikimin administrativ, për pasurinë e kryeministrit ajo ka nisur inspektorë për mbledhjen e dokumentacionit justifikues në të gjitha institucionet, Hipotekë, në Auto Star Albania, tatim-taksa etj.

Rruga nuk është e gjatë, atë që duhet ta ndiqte inspektorati për verifikimin e ka bërë sot TV Klan. Kemi shkuar në Hipotekë, ku nga drejtuesi Gazmend Zeneli mësojmë, se zonja Xhoana Nano është trajtuar si të gjithë qytetarët e tjerë, ka paraqitur kontratën e shitjes noteriale nga firma Kastrati, duke përfituar kështu dhe pronësinë mbi banesën, triplex 260 metra katrorë. Po kështu, inspektori i dërguar nga zonja Laska është interesuar në ka pasuri të tjera zonja e kryeministrit dhe ajo çka rezultuar është se zonja Nano nuk ka të tjera pasuri të regjistruara.

Ndërkohë përfaqësuesja e Benzit në Shqipëri edhe pse e përfolur si dhuruesja e automjetit të kryeministrit, prej kohësh nuk deklaron as të kundërtën. Të paktën tani që njihen ligjërisht e detyrohen të gjithë funksionarët e lartë të shtetit të deklarojnë pasuritë, kërkohet një institucion detyrues për subjektet që ta bëjnë këtë.

Inspektorati i Deklarimit të Pasurive duhet të detyrojë Auto Star Albanian të shprehet se është dhuruesja e benzit të Nanos, apo jo. Duket se deklarimi i rremë nuk do të mësohet dot as nga ky inspektorat që merret me verifikimin e pasurie./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti