Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Deputeti socialist Ilir Meta, kundërshton shifrat e publikuara një ditë më parë në aktivin e Tiranës nga kryeministri Fatos Nano.

Ilir Meta:- “Edhe për shifrat spekulative, që dëgjojmë vazhdimisht dhe që dëgjuam edhe dje në përgjithësi dhe në veçanti, dua të ndalem, në fryrjen e qëllimshme, nga kreu aktual i qeverisë, në lidhje me shifra të tilla si 700 milion dollarë të parashikuara nga buxheti i shtetit për pensionet për këtë vit, apo 500 milion dollarë të parashikuara për ndihmë e sigurime shoqërore. Po t’i referohemi ligjit për buxhetin e shtetit të vitit 2004 sipas Fletores Zyrtare në të cilën është botuar pra ligjit të miratuar në parlament, buxheti për këtë qëllim, ka parashikuar 44 miliardë e 353 milion lekë të reja”.

Ish-kryeministri Ilir Meta, deklaroi në konferencën për shtyp, se distancohet qartë ndaj çdo aludimi apo paralelizmi mes konflikteve në Shqipëri dhe Qipro.

Ilir Meta:- “Distancohem qartë dhe prerë, nga çdo aludim, me dashje apo pa dashje dhe paralelizëm, midis konfliktit të Qipros dhe konlikteve në Shqipëri. Askush nuk duhet me dashje apo pa dashje, të bëjë paralelizma, të cilat nuk kanë asnjë lidhje midis dy vendeve, pra të ngatërrojë konfliktin politik në Shqipëri, me konfliktin ndëretnik në Qipro apo kudo tjetër”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj