Në 6 shtator Lëvizja Socialiste për Integrim do të jetë forca e tretë parlamentare. Këtë deklaroi drejtuesi i lëvizjes Ilir Meta, sipas të cilit, grupi nismëtar mbyll të gjitha procedurat për shndërrimin e partisë brenda 10 ditëshit të fundit të gushtit.

Ilir Meta: “Brenda 20 gushtit, draft-programi dhe draft-statuti, pra dy dokumentet themelore, do të jenë gati për të diskutuar me grupin nismëtar dhe në intervalin, pra nga kjo datë deri në ditët e para të shtatorit, do të përmbyllen të gjitha procedurat për legalizimin e kësaj force të re politike, e cila tashmë është tërësisht legjitime në sajë të pëkrahjes së gjerë që ajo ka gjetur në të gjithë vendin. Kjo forcë e re poliitke në fillim të shtatorit do të jetë forca e 3 parlamentare në vend.”

Akuzave se po çon Partinë Socialiste drejt opozitës, Ilir Meta iu përgjigj:

Ilir Meta: “Mendoj se dëshpërimi dhe nervozizmi që ka mbërthyer tashmë strukturat ekzistuese të Partisë Socialiste nuk mund të kapërcehet as me akuza të tilla, nuk mund të kapërcehet tashmë as me rishikime kryesie apo sekretarësh të keqpërdorur. Është një krizë që ka rrënjë tashmë të thella dhe që mund të riparohej vetëm nëse do të kishin pasur kurajon t’i përgjigjeshin platformës sonë për integrim. Mendoj se është ky dështim përgjegjës, partitë nuk lindin të mëdha dhe as nuk vdesin të mëdha. Ato janë të mëdha për aq kohë sa përfaqësojnë aspirata të mëdha.”

Meta sqaroi se nuk do të ketë bashkëpunim në zgjedhjet parlamentare me Partinë Socialiste.

Ilir Meta: “Kemi të gjithë vullnetin dhe besimin për të matur peshën elektorale të kësaj force të re politike në të 100 zonat elektorale të vendit. Dhe mendojmë se tashmë duhet sjellë një model dhe moral i ri për sa i takon aleancave dhe koalicioneve të cilat duhen bërë në bazë të çështjeve të përbashkëta programore dhe jo thjesht një ndarje apo pjestim karrikesh dhe privilegjesh.” /tvklan.al