Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja për Integrim do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por deri atëherë, ajo mund të shndërrohet në një parti politike, por pa humbur karakterin dhe platformën e saj, për nxitje të reformave social-ekonomike në vend. Kryetari i lëvizjes Ilir Meta shprehet në këtë mënyrë, pasi tashmë strukturat e Partisë Socialiste, nuk pranojnë propozimet e deputetëve të grupit Meta.

Ilir Meta: “Sigurisht që kjo lëvizje do ta marrë guximin për të konkurruar në zgjedhjet e ardhshme dhe për të përfaqësuar gjithë këtë mbështetje që ajo po gjen çdo ditë dhe në rritje dhe në këtë drejtim edhe sikur kjo lëvizje të shndërrohet në një forcë politike, pra në një parti, ajo asnjëherë nuk do të humbasë karakterin e saj të lëvizjes, pasi nuk është një lëvizje thjesht për pushtet, por është një lëvizje për integrim”.

Ish-kryeministri mirëpret të gjithë deputetët që dëshirojnë t’i bashkohen Lëvizjes për Integrim, por jo duke e anashkaluar qëllimin e lëvizjes, pasi nuk synon rritje apo ulje të numrit të deputetëve.

Ilir Meta: “Gjithë deputetët që kanë dëshirë t’i bashkohen kësaj lëvizje, janë të mirëpritur, por sigurisht që ne nuk e bazojmë forcën e lëvizjes tek një deputet më shumë apo një deputetë më pak, veçanërisht duke pasur parasysh deputetët e parlamentit aktual”.

Lëvizja e nisur nga disa deputetë sipas Metës, do të sjellë forcim të së majtës në raport me PD, por do të vështirësojë rezultatin e zgjedhjeve për PS.

Ilir Meta: “Hemorragjia elektorale ka qenë e qartë edhe pa filluar kjo lëvizje, që u provua në zgjedhjet e Tetorit 2003, kështu që kjo lëvizje synon ose rikthimin e besimit tek PS, në rast se ajo e pranon këtë platformë, ose dhënin e një alternative të gjithë atyre që nuk besojnë më tek kjo udhëheqje dhe tek kjo mënyrë qeverisje, që do të thotë një forcim i pozitave të së majtës në përgjithësi, në raport me opozitën e djathtë”.

Sipas Metës deri tani, Lëvizja për Integrim ka pjekurinë e duhur për të çliruar politikën socialiste nga fryma monopol”./tvklan.al