Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Baldushku ishte stacioni i radhës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ish-kryeministri Ilir Meta shpjegoi arsyet e lëvizjes, krizën e legjitimitetit dhe përfaqësimit të Partisë Socialiste, duke shtjelluar vlerësimet e ndërkombëtarëve për bllokimin e reformave dhe rritjen e varfërisë, si pasojë e konfliktit të interesave dhe korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes.

Sipas tij Partia Socialiste duhet t’i kthehet objektivit të saj, solidaritetit dhe drejtësisë sociale, të realizojë parimin një anëtarë një votë, për të shpëtuar nga izolimi i lidershipit.

Ilir Meta: “Nëse do të votonin në mënyrë të drejtpërdrejtë për institucionet e partisë dhe për çështjet më të rëndësishme programore, atëherë këto institucione do të ishin të tyre dhe nuk do të mund të uzurpoheshin dhe zaptoheshin nga lloj-lloj interesaxhinjsh dhe biznesmenësh që nuk kanë asnjë lidhje me sakrificat tuaja, por që e duan Partinë Socialiste vetëm si mburojë për interesat dhe bizneset e tyre. Besojmë tek e ardhmja dhe nuk mund ta lëmë atë në duart e disa aventurierëve të tranzicionit nga të dy krahët e politikës, që i kanë sjellë Shqipërisë veç dëme dhe izolim”.

I pyetur nëse kjo lëvizje do të dalë si parti më vete, Ilir Meta u përgjigj:

Ilir Meta: “Nëse Partia Socialiste, pra strukturat e saj të uzurpuara, janë të vendosura të ecin në këtë rrugë të gabuar si deri tani, deri në fund, atëherë pa dyshim që kjo është një lëvizje që nga brenda PS, duke marrë gjithë socialistët që besojnë në këto vlera dhe në këto qëllime, padyshim që del nga këto struktura dhe i drejtohet gjithë elektoratit që bashkohet me këtë platformë. Ne jo vetëm do të konkurrojmë me dinjitet, por do të konkurrojmë për të qeverisur pas Qershorit të vitit 2005”.

Nuk kemi pse t’u lutemi atyre që na tregojnë derën dhe kërkojnë të na çojnë në opozitë, tha deputeti Legisi, duke u kërkuar banorëve të Baldushkut bashkëpunim për të konsoliduar këtë forcë të re të ekuilibruar që paraqitet në tregun politik.

Ndre Legisi: “Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ne të verifikojmë votën në zgjedhjet e vitit që vjen”. Për të treguar synimin e Lëvizjes për Integrim, profesor Edmond Panariti risolli në kujtesë sloganin e viteve ’90.

Edmond Panariti: “Për ta nxjerrë Shqipërinë nga ky ngërç i madh nga bllokimi total i proceseve integruese për realizimin e asaj ëndrre dhe asaj aspirate që vjen që nga Lëvizja e Dhjetorit, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj