Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka zbuluar Planin për Veprim. Në fakt është vetëm një përmbledhje e programit zgjedhor të LSI, të cilin Meta e ka prezantuar në Fier.

Ilir Meta: “Në të gjithë programin tonë duke u përqendruar tek punësimi jo vetëm kemi një objektiv krejtësisht të arritshëm, sikurse është ai i hapjes së 100 mijë vendeve të reja të qëndrueshme të punës në katër vitet e ardhshme, por jemi dhe shumë të qartë për të gjithë sektorët se ku mund të hapen këto vende pune duke filluar që nga bujqësia, që nga agropërpunimi për të vijuar në të gjithë drejtimet e tjera. Konkretisht ne propozojmë që dhe jemi të angazhuar të realizojmë që për çdo biznes të ri që do të krijohet në të ardhmen që do të punësojë të paktën pesë veta të përjashtohet nga tatim-fitimi për tre vitet e ardhshme”.

Kryetari Meta ka kërkuar votën e fierakëve, pasi sipas tij LSI ka platformën më konkrete për rimëkëmbjen e bujqësisë dhe rrjedhimisht edhe rritjen e eksporteve të prodhimeve bujqësore./tvklan.al