Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zhvilloi takime në krahinën e Mokrës, si dhe mori pjesë në mbledhjen e zgjeruar të kryesisë së rrethit të Pogradecit, për fazën e dytë të organizimit dhe strukturimit të LSI në këtë rreth.

Në këto dy takime Meta premtoi se LSI tashmë e ka shpallur hapur luftën që do të bëjë kundër kontrabandës dhe monopoleve qeveritare që po shkatërrojnë prodhimin e fermerëve, duke sjellë si rrjedhojë varfërimin gjithnjë e më tepër të tyre. Kundrejt këtyre fenomeneve dhe të gjithë fenomeneve të paligjshme, LSI do të ketë në qendër të vëmendjes rritjen e prodhimeve bujqësore nëpërmjet kreditimeve, si edhe një politikë integruese për nxjerrjen nga varfëria të zonave të thella.

Gjatë bashkëbisedimit në Bllacë të Pogradecit, përfaqësues të LSI-së, ngritën problemin e shpërdorimit të fondeve publike dhe vjedhjes së investimeve. Drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, zhvilloi dy mitingje të hapura dhe në fshatin Leshnicë dhe Cërravë të rrethit të Pogradecit./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj