Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Gazetarja: Atëherë duke pasur parasysh tendencën dhe kërkesën ngulmuese të opozitës, për një balancim politik të KQZ, ju vetë jeni shprehur se ky nuk është shumë i domosdoshëm, si balancim, pse është kështu qëndrimi juaj?

Ilirjan Celibashi: “Personalisht së pari mendoj, që ajo çka Kushtetuta parashikon në lidhje me mënyrën se si organizohet dhe funksionon KQZ, të paktën në gjykimin tim është një zgjidhje që i përshtatet kushteve të Shqipërisë, por gjithsesi kjo është një çështje që nuk ka të bëjë me objektin e diskutimit dhe të vlerësimit që ka një pjesë e opozitës shqiptare, veçanërisht Partia Demokratike në lidhje me përbërjen e KQZ aktuale dhe se s’duhet të jetë kjo KQZ. Unë mendoj që kërkesa e PD, për balancimin  KQZ është një kërkesë, që ashtu si çdo kërkesë e çdo partie tjetër politike është një kërkesë që besoj buron nga interesat politike dhe elektorale të ngushta të një force të caktuar politike, sepse unë nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar asnjë argument bazuar në fakte apo të dhëna, në lidhje me atë, se përse KQZ aktuale do të duhet të ndryshojë. Në rast se flasim për një ndryshim hipotetik në të ardhmen të mënyrës se si do të organizohet dhe do të funksionojë KQZ, kjo është një çështje tjetër, por duket se PD kërkon që përbërja aktuale e KQZ të ndryshojë dhe kjo përbërje të jetë e balancuar politikisht. E thashë edhe pak më lartë që nuk e kam, të paktën unë personalisht nuk e kam evidentuar, ose nuk e kam kapur, se kush është argumenti mbi bazë të të cilit PD ka kërkuar që përbërja aktuale e KQZ të ndryshojë dhe të jetë e balancuar, sepse bazuar në atë, të paktën ça OSBE-ODIHR thotë në raportin e tij përfundimtar, po kështu edhe Komisioni i Venecias dhe ODIHR-i në një rekomandim të përbashkët që ata kanë bërë në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri, në asnjë rresht të këtyre rekomandimeve nuk flitet për ndryshimin e përbërjes së KQZ-së dhe për më tepër nuk përdoret asgjëkundi termi balancim i KQZ. Për më tepër në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR të pas zgjedhjeve të tetorit, të viti të kaluar është shkruar në mënyrë të qartë dhe të plotë që dispozitat aktuale të kodit zgjedhor duket se vijnë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pra ata sugjerojnë që këto dispozita të jenë të përputhshme me atë çka parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në rast se flitet që KQZ duhet të jetë një KQZ e përbërje tjetër individësh kjo është një çështje tjetër por unë mendoj që është ky argument nuk qëndron, pasi qoftë në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, por qoftë dhe në vlerësimet e organizmave të ndryshme ndërkombëtar është e shkruar qartë dhe e theksuar, që veprimtaria e KQZ në lidhje me zgjedhjet e Tetorit 2003, ka qenë profesionale, transparente dhe e hapur”.

Gazetarja: Do të ndalemi në një tjetër pikë, sepse tashmë jemi përpara një fushate të nxehtë elektorale, institucioni që ju drejtoni e keni dhe eksperiencë nga zgjedhjet e kaluara do të jetë gjithmonë në fokus. Opozita tashmë e ka të shpallur mosbesimin ndaj KQZ përsa i përket përfundimeve etj, janë kontestime të vazhdueshme. Ju vetë si mendoni, duke rregulluar listat zgjedhore, të cilat kanë qenë vërtetë shumë të kontestueshme në zgjedhjet e fundit lokale dhe komisionet vendore, do të rrini që të garantoni një proces të pakontestueshëm vërtetësisht?

Ilirjan Celibashi: “Pavarësisht nga qëndrimi që PD ka ndaj KQZ, apo ndaj meje si kryetar i KQZ, ajo çka thashë pak më përpara nuk duhet të lërë të kuptojë që kërkesat e PD janë kërkesa që duhen të injorohen, por ajo ça thashë unë ishte kjo, që këto kërkesa duhet të jenë kërkesa të cilat duhet të kenë një logjikë, të kenë një bazë dhe pastaj secili prej anëtarëve të KQZ veçmas ose në tërësi reflekton. Unë mendoj që dy janë çështjet më kryesore të cilat bazohen jo vetëm në atë eksperiencën time trevjeçare, si anëtar i KQZ, por në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it është theksuar që dy çështje janë prioritet në reformën zgjedhore, së pari lista e zgjedhësve dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Në rast se këto dy çështje nuk do të rikonsiderohen, nuk do të marrin zgjidhje urgjente, unë besoj që shanset për të pasur një proces zgjedhor në përputhje me standardet e OSBE-së dhe KE-së, do të reduktohen”./tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori