Greqia do të ketë institutin e saj të kulturës në vendin tonë nën emrin “Fondacioni Grek i Kulturës”.

Hapja e tij u prezantua në Tiranë, në prezencën e ambasadorit grek në Shqipëri, gazetarëve dhe të ftuarve nga fusha e artit dhe kulturës.

Nikos Pazios në fjalën e tij theksoi se ky institut do të jetë një mundësi më shumë për lidhje më të ngushta mes dy popujve fqinjë.

Nikos Pazios: “Instituti grek i Kulturës do të mbushë një boshllëk që ekzistonte nga ana e ambasadës duke plotësuar kështu praninë e Greqisë në Shqipëri. Kultura është një urë bashkëpunimi dhe duke iu referuar dy vendeve ky bashkëpunim do të thellohet përmes gjuhës dhe kulturës”.

Me këtë rast Fondacioni Grek i Kulturës do të organizojë një eveniment dyditor, ku në qendër do të jetë shkrimtari i madh, Konstandin Kavafi.

Nga themelimi i tij në vitin 1992 në Athinë, ky fondacion ka në qendër të tij promovimin dhe përhapjen e kulturës dhe gjuhës greke në të gjithë botën./tvklan.al