Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Trafiku i organeve ka ndodhur gjatë këtyre 14 viteve të fundit nga Shqipëria. Kështu pretendon Instituti Kombëtar për Integrimin e Jetimëve shqiptarë, i cili gjithsesi nuk ka deklaruar nëse ka ndonjë rast konkret, apo shifra për këtë çështje. Drejtori i këtij institucioni në një konferencë për shtyp tha, se ky lloj trafiku është denoncuar për herë të parë nga ish-Ministri i Shëndetësisë Anastas Kondo.

Shkrimet e disa të përditshmeve greke kanë nxitur Instituti për Integrimin e Jetimëve t’i rikthehet këtij problemi, sepse kjo pjesë e shoqërisë është më e ekspozuara ndaj këtij fenomeni.  

Ilir Çumani: “Kërkojmë nga strukturat e specializuar shtetërore, fillimin e një procesi hetimor në bashkëpunim edhe me institucionet e specializuara të vendeve fqinj, lidhur me trafikimin e fëmijëve dhe të organeve të qenieve njerëzore. Ky hetim le të shtrihet që nga viti 1990, në të gjitha shtëpitë e fëmijës dhe të foshnjës, si dhe në qendrat rezidenciale dhe të hetohen të gjitha procedurat që janë ndjekur nga Komiteti i Birësimeve për çdo rast birësimi”.

Sipas të dhënave të Instituti për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë edhe fëmijët romë janë një pjesë tjetër e shoqërisë që mund të jetë bërë viktimë e trafikut të organeve. Në Shqipëri 5% e popullsisë janë rome, pra 150 mijë persona, nga këta 1300 janë jetim dhe një pjesë e mirë e tyre rezultojnë të pa regjistruar në zyrat e gjendjes civile.

Rreth 80% e të miturve romë të moshës 8-16 vjeç, janë në rrugë pasi shfrytëzohen nga trafikantët në forma të ndryshme./tvklan.al