Arta Tozaj: “Zoti Lange, ju e dini se sa i rëndësishëm është për qytetarët shqiptarë procesi i liberalizimit të plotë të vizave Shengen. Kur mund të hiqen vizat për shtetasit shqiptarë?”

Dirk Lange: “Mendoj se po punojmë për të arritur këtë sa më shpejt. Shqipëria mori udhërrëfyesin e saj e ne morëm prej saj planin e përgatitjes, i cili po vlerësohet në këto momente. Do të jetë gati në mesin e javës që vjen ndoshta. Më pas do të shohim se kush janë hapat e tjerë që duhen ndërmarrë, pra shumë punë parashikohet të ndërmerret nga Shqipëria me raporte të pastra, ekspertë ndërkombëtarë që do të dërgohen në Shqipëri për të paraqitur një situatë të qartë të vendit gjatë vitit 2009 e nëse ne vërejmë progres në këtë aspekt nuk është e përjashtuar mundësia se ky regjim i lehtësuar vizash mund të liberalizohet gjatë vitit 2009 apo 2010”.

Arta Tozaj: “Zoti Lange, si paraqitet vullneti politik i Shqipërisë për shqetësimet e komisionit, siç janë reforma zgjedhore, ajo në drejtësi apo lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, kjo krahasuar me një vit më parë?

Dirk Lange: “Ne kemi parë progres gjatë vitit të parë në Shqipëri dhe kjo shprehet qartë në progres-raportin tonë. Natyrisht kemi parë që mbeten sërish probleme me të cilat vendi duhet të merret. Kemi parë që janë bërë disa përmirësime në gjyqësor, por ende më shumë nevojitet. Kemi vërejtur se disa ligje janë miratuar, për shembull, mbi kushtet e punës së gjyqtarëve, por ligje të tjera janë në pritje si ai për prokurorinë e përgjithshme që duhet të futet në të njëjtin kuadër për të pasur gati të gjithë legjislacionin e duhur për një drejtësi të pavarur. Po ashtu kemi parë se ka progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por kjo nuk mund të fshehë se këto çështje mbeten ende shqetësime serioze. Kemi parë plane aksione dhe strategji kombëtare të plotësuara në letër, por sërish nevojitet më shumë vullnet politik për to, por gjithsesi kemi vënë re zhvillime pozitive, për shembull, në luftën ndaj korrupsionit vërejmë se perceptimi mbi të është përmirësuar në Shqipëri”.

Arta Tozaj: “Cili është vlerësimi juaj për kodin e ri zgjedhor që pritet të votohet nga parlamenti dhe debatin politik që e kanë shoqëruar atë?”

Dirk Lange: “Por para së gjithash më lejoni të theksoj se ajo çfarë është e rëndësishme për Shqipërinë është që zgjedhjet e vitit 2009 duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë se ka një pjekuri në demokraci. Në këtë aspekt kemi parë se ligji elektoral ka ndryshuar arritur me shumicë të cilësuar në parlament ndaj vlerësojmë se një gjë e tillë do të lehtësojë sjelljen elektorale në Shqipëri. Tani kodi elektoral pritet të miratohet me po aq urgjencë pasi gjysmë viti para mbajtjes së zgjedhjeve ai duhet të ketë hyrë në fuqi dhe ne shpresojmë vërtet se kjo gjë do të realizohet shumë shpejt.”

Arta Tozaj: “A jeni në dijeni të grevës së urisë që është lajmëruar nga një grup deputetësh mbi këtë çështje?

Dirk Lange: “Para së gjithash duhet të them se kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë. Në mënyrë të qartë unë duhet të shpresoj që diskutimet mbi emërimet do zgjidhen brenda parlamentit dhe jo përmes kërcënimeve për veprime të dhunshme apo greva urie. Kjo është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër shpresoj që të ketë një përfaqësim të duhur të të gjitha partive parlamentare të përfshira për këtë çështje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe që do të arrihet në një marrëveshje për këtë çështje shumë shpejt.”

Arta Tozaj: “Në progres-raport theksohet se zgjedhjet e vitit 2009 janë test kyç për hapat e tjerë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përse Shqipëria duhet të presë deri në verën e vitit 2009 për të aplikuar për statusin kandidat në një moment kur ky proces mund të mbyllet më përpara dhe le të lemë zgjedhjet të jenë një test për hapjen e negociatave, për anëtarësim siç është rasti që aktualisht po veprohet në me Maqedoninë?”

Dirk Lange: “Ju po merrni parasysh hapin e dytë përpara të parit kur flisni për hapjen e negociatave. Hapi i parë të cilit Shqipëria i nënshtrohet me këtë aplikim është përgatitja e mendimit të komisionit dhe Shqipëria duhet të ketë siguri për veten e saj se ky mendim i komisionit do të jetë pozitiv…”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj