Gazetarja: Zoti ambasador, Bashkimi Evropian ka miratuar së fundmi një ndihmë financiare prej rreth 250 milion eurosh për Shqipërinë. Çfarë do të thotë kjo ndihmë për vendin tonë dhe cilët janë sektorët që do të mbulojë?

Helmut Lohan: “Më lejoni të filloj duke ju treguar se ku do të shkojë kjo asistencë. Do të shkojë kryesisht në tre sektorë, sektorin e standardeve politike, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe sektori që merret me legjislacionin që tashmë ekziston në Bashkimin Evropian. Do të doja të të jepja disa shembuj për të ilustruar se çfarë do të thotë kjo në terma praktikë. Për shembull përsa i përket sektorit të parë për standardet politike ne do të ndihmojmë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të kemi një projekt që do të merret me korrupsionin në sektorin arsimor, parandalimit të korrupsionit në sektorin arsimor. Ne do të kemi një projekt që do të merret me kapacitetet e autoriteteve shqiptare, të parandalojnë dhe diktojnë pastrimin e parave, që është shumë e rëndësishme për luftën kundër krimit të organizuar. Gjithashtu do të kemi një projekt për shembull që do të merret me mbrojtjen e kufirit detar të Shqipërisë, i cili është i hapur dhe mund të përdoret nga krimi i organizuar për trafikimin e drogës dhe njerëzve, pra do të ketë shumë aktivitete në këtë fushë. Do të ndihmojmë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë nëpërmjet përpjekjeve tona për ndërtimin e rrugëve lokale dhe dytësore. Për njerëzit një rrugë do të thotë akses në treg, në shërbimet mjekësore, arsim dhe mbështetje e zonave periferike të Shqipërisë nëpërmjet ndërtimit të rrugëve. Jam i bindur që do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të këtyre zonave, por edhe të të gjithë vendit dhe së fundmi në fushën e standardeve që dalin nga legjislacioni brenda Bashkimit Evropian ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e konsumatorit, për shembull mbrojtjen nga sëmundjet që mund të transmetohen nga kafshët tek qeniet njerëzore nëpërmjet konsumimit të qumështit të pasterilizuar ose mishit të keq dhe këtu përsëri ne do të japim ndihmë që do të ndihet konkretisht nga qytetarët shqiptarë. Kjo më çon te pyetja juaj e parë: Çfarë do të thotë kjo ndihmë për Shqipërinë? Do të thotë një ide paraprake e asaj se çfarë do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian. Do të thotë një ide fillestare të institucioneve funksionale si për shembull policia apo gjyqësori, do të thotë një ide fillestare të asaj sigurie që konsumatori i Bashkimit Evropian ndjen kur konsumon ushqim apo blen pajisje elektrike apo çfarëdo gjë tjetër. E njëjta gjë do të ndodhë këtu gradualisht. Gjithashtu jep një ide fillestare të mirëqenies ekonomike në Bashkimin Evropian. Njerëzit do të ndihen më mirë ekonomikisht pasi do të mund të shkojnë në treg dhe të shesin produktet e tyre atje. Pra kjo asistencë nuk do të thotë të jesh anëtar i BE-së, por do t’u japë njerëzve një ide konkrete mbi të ardhmen”.

Gazetarja: Do të thotë me pak fjalë që Shqipëria dhe Bashkimi Evropian ndodhen tashmë në një tjetër nivel të marrëdhënieve mes tyre?

Helmut Lohan: “Po patjetër. Shqipëria ka arritur një nivel të caktuar marrëdhëniesh intensive me BE-në. Këto përcaktohen mbi të gjitha nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e cila pritet të hyjë në fuqi në fillim të 2009-tës, por niveli i marrëdhënieve reflektohet gjithashtu në ndihmën që ne po japim, e cila vjen nga ajo që quhet instrumenti i asistencës së para anëtarësimit, pra vetë kjo asistencë mbart idenë e ecurisë së Shqipërisë drejt integrimit evropian”.

Gazetarja: A ka komisioni evropian një vlerësim të vetin mbi ecurinë e reformave gjatë këtij viti?

Helmut Lohan: “Do t’ju duhet të prisni deri më 5 Nëntor për vlerësimin e komisionit evropian mbi ecurinë e Shqipërisë gjatë 12 muajve të fundit. Në 5 Nëntor komisioni evropian do të publikojë raportin e tij vjetor për Shqipërinë, por do të doja të shfrytëzoja rastin për të theksuar tre faktorë që janë ndoshta më të rëndësishmit për vlerësimin tonë. Së pari është përgatitja dhe zhvillimi i rregullt i zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”./tvklan.al

Gazetarja: Menada Zaimi