Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Arrestimi i Altin Arapit, njërit prej të akuzuarve si anëtar i grupit Hakmarrja për Drejtësi, ka ngjallur reagime nga palët që merren me këtë çështje, i dyshuar edhe si autor i vrasjes së shoferit të kryeprokurorit Sollaku është mbrojtur gjatë procesit disa vjeçar në gjykatën e rrethit të Tiranës, nga avokati Dylber Mani. Ja si e ka vlerësuar ai prangosjen e klientit të tij dhe mënyrën si u trajtua kjo çështje e bujshme.

Avokati Dylber Mani:- “Unë jam vënë në dijeni nëpërmjet medias, për arrestimin e klientit tim, Altin Arapi dhe jo në rrugë ligjore, nuk kam asnjë informacion në rrugë ligjore, nga organet kompetente si prokuroria, apo ndonjë tjetër. Edhe nëse një individ, rastësisht kryen një vepër tjetër penale, kjo nuk do të thotë që t’i faturohet Hakmarrjes për Drejtësi, Hakmarrja vetë nuk ekziston. Hakmarrja vetë si organizatë, ekziston vetëm në mendjen e politikanëve të sëmurë, sepse në gjyq nuk u soll as edhe një provë, që të vërtetojë se ekziston hakmarrja si organizatë. U bënë 5 vjet gjykim dhe dy vjet hetim paraprak nga prokuroria dhe nuk ka në dosje asnjë provë për ekzistencën e organizatës Hakmarrja për Drejtësi”.

Avokati i Altin Arapit shpjegon, pse të akuzuarit e grupit Hakmarrja për Drejtësi, mbi të cilin rëndojnë plotë 24 akuza, vazhdojnë të qëndrojnë në ilegalitet.

Avokati Dylber Mani:- “Të akuzuarit janë në ilegalitet, sepse nuk mund të përballen me një drejtësi ku akoma vegjetojnë militantët e partive dhe drejtësia jonë, sipas mendimit tim nuk do të rregullohet përderisa në drejtësi do të punojnë në prokurori dhe në gjykatë do të punojnë militant partish. Ata që janë të ngatërruar me krimin e organizuar mundohen ta spostojnë vëmendjen tek hakmarrja. Meqë doli fjala për një ish-të akuzuar të hakmarrjes, mundohet ta spostojnë vëmendjen sikur kjo qenka krim i organizuar”.

Për të gjithë të akuzuarit si anëtarë të Hakmarrjes shqiptare për Drejtësi, janë ende në fuqi urdhër-arrestet e prokurorisë së Tiranës, organi i akuzës ka kërkuar që dy vëllezërit Sadiku, të arrestuar njëkohësisht me Altin Arapin në Belgjikë, të mbahen në burg, pasi mund të shërbejnë si dëshmitarë, për vendndodhjen e të akuzuarve të tjerë, që kanë lidhje me këtë organizatë./tvklan.al