Fjorald Zguro: “Si dy vende fqinje, çdo ndryshim në stabilitetin makroekonomik të një vendi do të ndjehet tek tjetri. Si e shikoni ekonominë shqiptare?”

Miltiadis Varvitsiotis: “Mendoj se ekonomia shqiptare po lëviz shpejt përpara. Edhe parashikimi për rritjen ekonomike këtë vit është pozitiv. Gjatë 10 viteve të fundit  Shqipëria ka bërë ndryshime rrënjësore. Ne mendojmë që në vijim është po aq e rëndësishme krijimi i një klime të pastër për investimet që do të thotë rregull, ligje dhe konkurrencë, të cilat do të çojnë më shpejt ekonominë shqiptare përpara.”

Fjorald Zguro: “Po persë i takon investimeve të huaja direke të kompanive greke në Shqipëri? Si e parashikoni ecurinë e tyre, ndonjë fushe të re investimi, duke pasur parasysh edhe klimën financiare globale jo të favorshme?”

Miltiadis Varvitsiotis: “Pikësëpari Greqia me kompanitë e saj dhe investimet është numri një ne Shqipëri. Janë bërë investime shumë të rëndësishme në telekomunikacion, ndërtim apo banka. Ka vend për më shumë, sepse ne besojmë te ekonomia shqiptare dhe nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik do ti sjellim të dy vendet më afër, prandaj jam këtu. Së pari të ndihmoj biznesin grek në Shqipëri për të zgjidhur problemet që mbart nga e kaluara, pra për ti hapur rrugë më shumë investimeve, dhe së dyti për të përcjellë një mesazh të qartë që Greqia dëshiron të ftojë të tjera kompani për të investuar këtu në energjetikë, turizëm apo infrastrukturë.”

Fjorald Zguro: “Përmendët probleme, çfare lloj problemesh keni hasur?”

Miltiadis Varvitsiotis: “Disa problem të kompanive me autoritet për taksat apo ankesat në gjykata. Me ndihmën e qeverise këto do të zgjidhen për të lehtësuar më shumë fluksin e investimeve.”

Fjorald Zguro: “ Në Shqipëri operojnë disa degë të bankave greke. Shqiptarët duan të dinë nëse këto banka në Greqi janë goditur nga kriza financiare, në ç’masë, dhe a do të përcillen problemet e tyre tek degët që kanë këtu në Shqipëri?”

Miltiadis Varvitsiotis: “Duhet ta theksoj. Asnjë banke greke nuk është goditur nga kriza financiare. Bankat greke kanë qenë shumë të shëndetshme për dy arsye, e para nuk janë ekspozuar ndaj produkteve toksike që goditën bankat në vende të tjera, dhe së dyti, ato kanë dhënë më pak kredi në krahasim me rezervat e tyre të depozitave. Për shembull, bankat në Greqi kanë dhënë kredi vetëm për 6 % të nivelit të depozitave, ndërsa bankat në Gjermani kanë dhënë si hua 105 % të depozitave të tyre, kështu që në Greqi bankat janë në një gjendje më të mirë.

Gjithashtu qeveria greke ka garantuar likuiditet për bankat nëpërmjet një pakete prej 28 miliardë eurosh. Ne jemi të sigurt se këto banka janë absolutisht të sigurta, së dyti, kanë mjaftueshëm para për te financuar nevojat e tyre dhe së treti, bankat greke që operojnë në Shqipëri janë këtu për të qëndruar dhe për të zhvilluar më tej biznesin e nisur .Edhe sikur në të ardhmen të ketë probleme me bankat greke ne do ta shohim këtë me shume vëmendje dhe do të krijojmë politika të tilla për ti mbështetur ato. Ne nuk do të lëmë asnjë banke greke të mbyllet apo të kthehet mbrapsht.”

Fjorald Zguro: “Greqia renditet e dyta në listën e partnerëve tregtarë të Shqipërisë. Si e shikoni të ardhmen?”

Miltiadis Varvitsiotis: “E ardhmja..? Do të jemi të parët! Ne kemi në Greqi pak a shumë 1 milion emigrantë shqiptarë të cilët jetojnë bëjnë para aty dhe i sjellin këtu në Shqipëri. Ne mendojmë se nëpërmjet kësaj dhe minoritetit grek ne jug të Shqipërisë, ne do të vijojmë të rrisim dhe zhvillojmë më shumë marrëdhëniet ekonomike.”

Fjorald Zguro: “Qeveria shqiptare i ka hapur rrugën ndërtimit të një porti kontenierësh në Vlorë, i cili do të jetë më i madhi në Mesdheun jugor. Duke qenë se Greqia ka porte të rëndësishme si ai i  Pireut apo Selanikut, si e shihni këtë projekt?”

Miltiadis Varvitsiotis: “Ne nuk kemi frikë nga konkurrenca, por është krejtësisht e kundërta. Ne mendojmë nëse përdoren anije është shumë më mirë për mjedisin. Greqia është një fuqi botërore në këtë sektor dhe duam të kemi sa më shumë porte për të lehtësuar tregtinë. Çdo projekt infrastrukturor në Shqipëri është i mirëpritur nga Greqia, sepse ne e dimë se sa më shumë të përmirësohet niveli i infrastrukturës aq më shumë do të rritet tregtia. Duke qenë se jemi partnerë strategjik të Shqipërisë, e shohim si një mundësi më shumë për të ardhura dhe tregti.”/tvklan.al