Mediat amerikane po ndjekin me shumë interes procesin e parë gjyqësor ndaj një fëmije të një Kreu të Shtëpisë së Bardhë.

Për të dëshmuar kundër Hanter Bajden është thirrur ish-e dashura e tij Zoi Kestin e cila ka deklaruar se djali i Presidentit përdorte vazhdimisht substanca narkotike nëpër hotele të ndryshme luksoze.

Në sallën e gjyqit nuk dëshmoi vetëm ish-e dashura e tij, por edhe ish-bashkëshortja e tij Kethlin Bjuëll.

55-vjecarja  e cila u divorcua nga Hunter Biden në vitin 2017 gjatë dëshmisë së saj e cila zgjati 20 minuta përshkroi momentet se si zbuloi fillimisht se ai ishte konsumues i lëndëve narkotike.

Hunter Biden akuzohet se në vitin 2018 ka gënjyer një shitës të liçencuar të armëve, duke bërë deklarata false në aplikimin e tij, se nuk ishte përdorues droge dhe e ka mbajtur armën në mënyrë të kundraligjshme për 11 ditë. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në 25 vite burg.

Hanter Bajden do të përballet me një gjyq tjetër në Kaliforni në Shtator për akuzat se nuk ka paguar 1.4 milionë Dollarë taksa.

Ky proces po zhvillohet vetëm pak ditë pasi ish-presidenti Donald Trump u shpall fajtor për 34 akuza penale në qytetin e Nju Jorkut. Proceset dëshmojnë se si gjykatat janë vendosur në epiqendër të vëmendjes gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e këtij viti.

Klan News