Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fatos Klosi ish-kryetari i SHISH tashmë i pandehur nga prokuroria shqiptare me akuzën shpërdorim detyre është paraqitur së bashku me avokatin e tij në prokurorinë e rrethit. Në një seancë që ka zgjatur 5 orë, Klosi ka dhënë shpjegime në lidhje me akuzën e ngritur ndaj tij.

Fatos Klosi:- “Kanë marrë dokumentet e SHIK-ut dhe thonë, që kjo blerje është bërë me një kompetencë të tejkaluar. I kam thënë, jo kjo është kompetenca ime, ja ku është Vendimi i Këshillit të Ministrave. Sot diskutuam lidhur me problemet konkrete, kjo blerje pse është bërë, në ç’kondita keni qenë që e keni bërë në këtë mënyrë dhe unë u dhashë sqarimet e nevojshme që në këtë rast kamë bërë këtë se kshu-kshu, i shkruajtën të gjitha këto gjëra dhe e lamë të takohemi dhe njëherë tjetër”.

Në një njoftim të dhënë nga zyra e shtypit pranë prokurorit Sollaku deklarohet, se shpërdorimi i detyrës nga ana e Klosit, ka shkaktuar një dëm rreth 600 milion lekë të vjetra, në 15 tendera të realizuar gjatë kohës që ai drejtonte SHIK-un. Por vetë Klosi është shprehur se gjatë hetimit nuk i është bërë i ditur ky fakt që sipas tij është plotësisht i pavërtetë.

Fatos Klosi:- “Keni shifra të gabuara, në qoftë se e ka thënë zoti Sollaku, ka gabuar, për shpërdorim absolutisht nuk është diskutuar kurrë. Është diskutuar vetëm kaq, e kam pasur kompetencë ta bëjë kështu? Kjo quhet shpërdorim detyre, kur e tejkalon kompetencën quhet shpërdorim detyre”.

Gazetarja:- Ju dukën prokurorët të arsyeshëm në argumentet që ju dhatë?

Fatos Klosi:- “Prokurorët mu dukën normal fare, ashtu siç i kisha menduar unë që bëjnë punën e tyre. Ramë dakord që do takohemi prapë, do të takohemi për të sqaruar gjëra të tjera”.

Pas seancës maratonë dhe përgjigjes së disa pyetjeve të gazetarëve, Klosi është larguar nga organi i akuzës, i shoqëruar nga avokati i tij Mark Pëllumbi. Në njoftimin e bërë nga zyra e shtypit pranë prokurorit Sollaku, deklarohet se organi i akuzës është në pritje të sqarimeve të të pandehurit, e më tej do të nxirren konkluzionet përfundimtare për akuzën shpërdorim detyre, që sanksionohet me dëmshpërblim me gjobë deri në 7 vjet heqje lirie./tvklan.al