Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ish-presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, në një intervistë të botuar në disa të përditshme ka deklaruar se do të kandidojë për postin e kryetarit të partisë, në kongresin socialistë të 12 Dhjetorit. Mejdani ka deklaruar se është e nevojshme që Partisë Socialiste, t’i kthehet besimi reciprok mes anëtarëve të forumeve.

Mejdani është shprehur se në PS, duhet të aplikohet teknologjia e ekuilibrit të forcave dhe jo të imponohet vullneti i vetëm i një individi apo grupi përreth tij. Mejdani është shprehur se kandidon vetëm për një motiv, bashkimin politik dhe jo ndarjen dhe përçarjen.

Të gjitha mangësitë dhe arsyetimet e mësipërme, për një parti realisht demokratike dhe anëtarësi të ndërgjegjësuar të saj, sipas tij, po të analizohet me mjaft kujdes janë më se të mjaftueshme për t’u supozuar ndryshimin në drejtimin e partisë, veçanërisht pas një konsumi afatgjatë në qeverisje.

Mejdani mendohet si një personalitet i pa konsumuar në krye të partisë socialiste. Ai është zgjedhur për një periudhë të shkurtër, në postin e sekretarit të përgjithshëm, ndërsa më pas hoqi dorë nga jeta partiake, sepse u zgjodh presidenti i vendit./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj