Justin Timberlake i është pezulluar patenta për drejtim automjeti në gjendje të dehur.

43-vjeçari deklaroi në seancën dëgjimore se ishte i pafajshëm. Gjykatësi e pezulloi patentën e yllit të popit sepse refuzoi që të bënte testin e alkoolit në momentin që u ndalua nga policia në American Hotel më 18 qershor.

Justin e ndoqi seancën virtualisht pasi ndodhej në Antwerp, Belgjikë, në një nga ndalesat e turneut të tij ndërkombëtar.

Gjykatësi qortoi avokatin e Timberlake, Edward Burke Jr., për komentet “e papërgjegjshme” që bëri gjatë seancës dëgjimore të së premtes së kaluar. Sipas gjykatësit, komentet e tij “janë një përpjekje për ta helmuar çështjen përpara se të mund të fillonte”.

Seanca e radhës do të jetë më 9 gusht, por këngëtari nuk do të jetë i detyruar të marrë pjesë. Atij  mund t’i duhet të paraqitet në seancën e 13 shtatorit, kohë gjatë së cilës do të jetë në SHBA pas turneut në Europë.

Në momentin e ndalimit nga policia, Justin tha se kishte pirë thjesht “një martini” me miqtë. Avokati i  këngëtarit ngulmoi në seancë duke thënë se klienti i tij nuk ishte nën efektin e alkoolit./tvklan.al