Rreziku i shpërthimit të një lufte mes Izraelit dhe Hezbollahut, grupit të militantëve pro-iranianë në Liban është më i lartë se kurrë më parë që prej nisjes së luftës në Rripin e Gazës.

Atë e shtoi vala e shpërthimeve në pajisjet elektronike të komunikimit të pjesëtarëve të këtij grupi, të Martën dhe të Mërkurën në mbarë Libanin, duke shkaktuar 37 viktima e rreth 3500 të plagosur.

Ndonëse autoritetet izraelite nuk kanë bërë asnjë deklaratë lidhur me këto shpërthime, ministri izraelit i mbrojtjes Joav Galant shpalli fazën e re në luftën kundër Hezbollahut, pa sqaruar detaje.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se një valë sulmesh ajrore është duke u zhvilluar kundër objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor.

Ndërsa udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një fjalim televiziv tha se “ajo që Izraeli ka bërë” duke synuar civilët “është një deklaratë lufte, një akt lufte.

“Armiku izraelit ka shënjestruar mijëra biper dhe kështu ka shkelur të gjitha ligjet, i ka kaluar të gjitha vijat e kuqe. Fronti libanez do të mbetet i hapur derisa të përfundojë agresioni i Izraelit kundër Gazës”.

Ai bëri të ditur se Izraeli do të përballet me dënimin e duhur, ndërsa nuk shpalli ndonjë një përshkallëzim ushtarak.

Tv Klan