Izraeli ka nisur hakmarrjen duke goditur objektivat e Hezbollahut në Liban pasi një ditë më parë një sulm me raketa vrau 12 persona dhe plagosi 20 të tjerë, mes tyre fëmijë e të rinj që luanin në një fushë futbolli në Lartësitë e Golanit të kontrolluara nga Tel Avivi.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj ajrore kishin shënjestuar një depo armësh të Hezbollahut në një fshat kufitar, duke shtuar se në kohën e sulmit kishte militantë brenda.

Ministria e Jashtme e Izraelit deklaroi të dielën se Hezbollahu “shkeli të gjitha vijat e kuqe” me sulmin me raketa të një dite më parë në Lartësitë e aneksuara të Golanit.

“Masakra e së shtunës përbën shkelje të të gjitha vijave të kuqe nga Hezbollahu, që nuk është ushtri që lufton kundër një ushtrie, por është një organizatë terroriste që qëllimisht sulmon civilët”, tha ministria përmes një deklarate.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi një ditë më parë nga SHBA se Hezbollahu do të “paguajë çmim të lartë për këtë sulm”.

Ndërkaq, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, e quajti sulmin më vdekjeprurës ndaj civilëve izraelitë që kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelin më 7 Tetor, që nxiti luftën në Gaza.

Grupi libanez, Hezbollah, që mbështetet nga Irani, ka mohuar përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës.

Tv Klan