Sulmet izraelite përreth Rafahut nuk u ndalën edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që Izraeli të ndalojë çdo veprim ushtarak. Avionët ushtarakë izraelitë bombarduan edhe Rafahun ashtu si të gjitha qytetet e tjera të Rripit të Gazës.

Qeveria izraelite nuk ka bërë deri më tani asnjë koment lidhur me vendimin që dha të Premten, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, që të ndalet sulmi në Rafah, të evakuuohen civilët dhe të lejohet hyrja e ndihmave humanitare.

Konflikti në Gaza ka bërë që vendimet e kësaj gjykate të mos mbështeten nga shumë prej vendeve perëndimore që kanë vënë firmën e tyre për në marrëveshjen që i detyron ato të zbatojnë vendimet e saj. Kryediplomati europian Josep Borrell, një kritik i qeverisë Netanyahu, tha se vendet e Unionit duhet të qartësojnë qëndrimet e tyre, nëse duan të zbatojnë vendimet e institucioneve ndërkombëtare apo të mbështesin Izraelin.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara që nuk janë pjesë e juridiksionit të kësaj gjykate, janë shprehur kundër vendimeve të fundit të kësaj gjykate në dëm të Izraelit, aleatit të tyre historik.

Tv Klan