Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, përfaqësimi i partive politike do  të jetë më i gjerë në komisionet zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk do të kenë më shumicën në komisionet e qendrave të votimit, pasi në bazë të amendamenteve të reja të grupit të ekspertëve të OSBE-së, që asistojnë në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore është propozuar që të përshihen 6 grupe parlamentare, tre të majta dhe tre të djathta. Këtë e konfirmon bashkëkryetari demokrat i komisionit Jemin Gjana.

Jemin Gjana: “Secila nga 6 grupet e mëdhaja parlamentare të Kuvendit kishin nga një kandidat dhe vetëm i shtati mund të zgjidheshe si një kandidaturë konsensuale. Në këtë mënyrë janë ndërtuar amendamentet për komisionet e niveleve të dyta e të treta, dmth. nuk u arrit tek KQZ dhe të shohim, propozimet janë që mund të arrihet tek këto komisione të tjera.”

Komisioni elektoral do të shqyrtojë edhe çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve, si dhe do të diskutohet edhe për financimin e partive politike.

Jemin Gjana: “Është edhe një grup tjetër amendamentesh që ka të bëjë me financimin e partive politike në fushatën elektorale, me mënyrën e ndarjes së fondeve, me mënyrën e mbledhjes të financimeve nga individët nga biznesi, kufizimet lidhur me këtë çështje dhe disa amendamente që kanë të bëjnë me problemin e pjesëmarrjes e grave në proceset elektorale dhe të pjesëmarrjes së individëve me aftësi të kufizuara.”

Komisioni elektoral do të vazhdojë punën deri më 5 Nëntor./tvklan.al

Gazetare: Gerta Gixhari