Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin e parë që nga krijimi i saj në muajin janar të këtij viti. I pandehuri është G. H. një 17-vjeçar i akuzuar për tentativë të kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë dhe vrasje. I mituri ka pranuar akuzën që në fillim të procesit gjyqësor për këtë arsye dënimi prej 25 vjetësh burg që kërkoi prokuroria në seancën e kaluar është ulur në 12 vjet e gjysëm, pasi i pandehuri ka pranuar krimin dhe është nën moshën 18-vjeç. H. u arrestua pasi akuzohet se vitin e kaluar ka masakruar një bashkëfshataren e tij 30-vjeçare në “pyllin e gështenjave” në fshatin Shëngjergj. Dëshmitarët e thirrur nga akuza treguan gjatë seancave të kaluara se ishte ky i pandehur që kishte kryer vrasje. Vendimi për dënimin me 12 vjet e gjysëm heqje lirie pritet të apelohet nga mbrojtja e të pandehurit. /tvklan.al