Shqiptari Erkand Lluka ka 10 vite që jeton në Australi, destinacion në të cilin ka shkuar nga Italia ku jetonte prej 11 vitesh. Ai ka treguar se ka qenë vetëm 21 vjeç kur ka nisur jetesën në Itali ku dhe u njoh me bashkëshorten dhe krijuan familje.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lluka ka treguar se në Itali është ndeshur me shumë paragjykime dhe është ndjerë i pavlerësuar, një ndryshim total me jetën e tij në Australi.

Erkand Lluka, Brisbane, Australi: 10 vjet kam që jetoj në Australi. Në fillim erdha në Melbourne. Nxorra një vizë që ju jepet të rinjve nën 31 vjeç. Në fillim punova mekanik në një zonë rurale të Australisë, në një fermë të madhe sallate që ishte për mirëmbajtjen e pajisjeve mekanike.

Blendi Fevziu: Si ishte momenti i parë i largimit nga Tirana në Australi?

Erkand Lluka: Pata një periudhë 11-vjeçare në Itali, në Bergamo. Atje isha i ri, 21 vjeç kur arrita atje, u njoha me bashkëshorten time, krijuam familjen. Jeta nuk kishte ndonjë kuptim shumë të madh atje. Gjithmonë me etiketa.

Blendi Fevziu: A kishte paragjykim të madh në Itali?

Erkand Lluka: Jashtë mase. Sado i zoti, sado i mirë të jesh, gjithmonë shqiptarë… unë shqiptar jam dhe me krenari e them atë emër, por kur ta thonë me përbuzje të vjen inat. Ndihesha i pavlerësuar. Në Australi larmishmëria e kombësive që jetojmë me njëri-tjetrin është e paparë.


/tvklan.al