Presidenti i SHBA Joe Biden ka reaguar pas deklaratave që ka bërë Donald Trump i cili e akuzoi se ka manipuluar drejtësinë.

 “Trump u shpall fajtor dhe është e pamatur, e rrezikshme dhe e papërgjegjshme që dikush të thotë se kjo është e manipuluar vetëm se nuk i pëlqen vendimi,” ka thënë Joe Biden.

Ndërkaq ish-Presidenti Donald Trump është shpallur fajtor për 34 akuza duke e bërë presidentin e parë në historinë amerikane që shpallet fajtor për një vepër penale. Trump, i cili e ndoqi procesin në sallë, mbylli sytë, teksa dëgjonte vendimin e jurisë, të cilën e cilësoi më pas si një turp. Pas disa orësh ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë doli në një konferencë për shtyp ku akuzoi presidentin Biden për vendimin e gjykatës.

“Ishte shumë e padrejtë. Ne nuk na lejuan të përdornim ekspertin tonë. Kjo është bërë e gjitha nga Biden dhe njerëzit e tij,” është shprehur Donald Trump.

Ai është cilësuar fajtor ndër akuzat e shumta për falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe për të fshehjen e një pagese të bëre ndaj ish-yllit porno Stormy Daniels.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit. Kjo pasi sipas legjislacionit amerikan dënimi për Trump mund të variojë nga një gjobë deri në katër vite burgim. Por sipas ekspertëve të së drejtës kjo nuk pritet ta ndalojë Trump të kandidojë për president më 5 nëntor.

/tvklan.al