Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Rritet presioni i diplomacisë ndërkombëtare për nënshkrimin e marrveshjes shqiptaro-serbe të Rambujesë. Pas kontakteve intensive në Beograd dhe Prishtinë, Ministri i Jashtëm Gjerman Joshka Fisher i shoqëruar nga Komisioneri i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme Van Den Bruk, ka vizituar sot Tiranën.

Në Aeroportin e Rinasit krerët e lartë të BE Fisher dhe Van Den Bruk, u priten nga Ministri i Jashtem Paskal Milo. Takimi i parë u zhvillua në Ministrinë e Jashtme. Duke u ndalur në situatën në Kosovë, ministri Milo u shpreh se Qeveria Shqiptare po përpiqet të nxisë faktorët ushtarakë dhe politikë të shqiptarëve të Kosovës që të nënshkruajnë marrëveshjen e Rambujesë para 15 Marsit. Milo kërkoi që marrveshja të mos ndahet siç pretendon Beogradi, në marrëveshje politike dhe ushtarake.

Ministri Gjerman Fisher u shpreh se nënshkrimi i marrëveshjes nga pala shqiptare do të shërbente si bazë për të detyruar palën jugosllave të nënshkruajë në Rambuje. Në takimin me Kryeministrin Majko, ministri Joshka Fisher u shpreh se Shqipëria për Europën është partneri më i rëndësishëm në Ballkan. Ka vetëm një rrugë për paqen në Kosovë nënshkrimi në tërësi i marrëveshjes së Rambujesë.

Kryeministri Majko këmbenguli në kërkesën e Qeverisë Shqiptare që shqiptareve të Kosovës t’u njihet e drejta e vetvendosjes me Referendum pas një periudhe tre vjeçare. Vetëm prania e NATO-s në Kosovë do t’i detyronte serbët t’i përmbahen kësaj marreveshje.

Presidenti Mejdani ka vleresuar rolin e madh që po luan Bashkimi Europian në mbështetjen që i ka dhënë popullit shqiptar gjatë viteve të fundit për ngritjen e institucioneve demokratike si dhe për kalimin e vështirësive të tranzicionit. Komuniteti Ndërkombëtar theksoi Presidenti Mejdani duhet të detyrojë regjimin e Millosheviçit që të largojë trupat ushtarake policore nga Kosova.

Ministri Gjerman Fisher i kërkoi Presidentit Mejdani që të ushtrojë ndikimin e tij ndaj faktoreve ushtarake e politike të shqiptarëve të Kosovës për të nënshkruar marrëveshjen para 15 Marsit. Marrveshja e Rambujesë është një theksoi Fisher dhe ajo nuk mund të ndahet./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame