Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Mosdekretimi i projektligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, sipas nënkryetares së Partisë Demokratike Jozefina Topalli, ishte domosdoshmëri.

Një nga projektligjet më të rëndësishme për vendin shprehet Topalli, duhet të marrë konsensusin e të gjitha palëve, pasi nga mënyra se si u transformua projektligji do të sillte mosmarrëveshje dhe konflikte sociale, megjithatë demokratët nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre të mëparshme siç janë kryetari i komitetit për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe mos legjitimimi i pronave në zonat turistike. 

Gazetarja: Ju do të vazhdoni përsëri të këmbëngulni, se kryetari i komitetit duhet t’i përkasë presidentit?

Jozefina Topalli: “Absolutisht po, absolutisht, përndryshe s’ka asnjë sens që të ridiskutohet po s’u ndryshuan dy pikat kryesore, të cilat përmbysin thelbin e ligjit. Mendoj që dy momentet më të rëndësishme janë këto, mos legjitimimi i pronave të paligjshme të qeveritarëve dhe mos lënia e komisionit në duart e qeveritarëve, për të krijuar modelin e përsëritur të harapit. Në qoftë se ato nuk do e pranojnë, mund të thoni ju, mund të ndodhë edhe kjo, ato nuk i lëshojnë kollaj pronat e tyre”.

Këtë radhë, grupet parlamentare të majtë e të djathta, duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, kërkesë kjo e bërë edhe nga prezenca e OSBE-së./tvklan.al