Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë takimit të zhvilluar me kryetarin e Komisionit Evropian Jose Emanuel Barroso, ka deklaruar se Shqipërisë duhet t’i jepet sa më shpejt statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Kreu i KE-së vlerësoi përpjekjet që ka bërë Shqipëria në procesin e integrimit duke e konsideruar si një vend serioz në këtë proces. Në një intervistë për televizionin Klan, Barroso i pyetur për kohën e mundshme se kur Shqipëria do të marrë statusin e vendit kandidat tha, se jemi duke punuar fort me autoritetet shqiptare për ta bërë të mundu një gjë të tillë, por sipas tij më e rëndësishme është cilësia se sa koha.

Gjatë qëndrimit të saj në Bruksel kryeparlamentarja Topalli ka mbajtur sërish një fjalim në Parlamentin Evropian.

Jozefina Topalli: “Shumë shpejt do t’i bëjmë një kërkesë Brukselit për të kërkuar statusin e vendit kandidat dhe bazuar në reformat e mëdha dhe ndryshimet e jashtëzakonshme që janë bërë në Shqipëri, uroj që të marrim dhe një përgjigje pozitive. Shqipëria ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, Ballkani ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Nëse ne do të vazhdojmë me këtë ritëm reformash unë mendoj se në gjysmën  e parë të dekadës së ardhshme si Shqipëri do e meritojmë që të jemi anëtarë të këtij komuniteti.”

Topalli u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Sllovenisë Dhimitri Rupel, vend që ka kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian./tvklan.al