Jozefina Topalli: “Të votojmë të gjithë paketën e anëtarësimit të Shqipërisë NATO. Mirënjohje të gjithë deputetëve, mirënjohje të gjithë vendeve, qeverive, parlamenteve, senateve që kanë  mbështetur Shqipërinë në këtë ngjarje historike. Kjo është dita më e lumtur e secilit prej deputetëve të pranishëm. Ne e konsiderojmë veten shumë krenar për këtë ditë historike të parlamentarizmit dhe të Shqipërisë.”

Në sallën e seancave Plenare të Kuvendit të Shqipërisë të shndërruar në një mjedis festiv me flamuj kombëtarë dhe të NATO-s deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë votuar njëzëri protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Duke iu bashkuar ratifikimit të 26 vendeve të aleancës së Atlantikut të Veriut, deputetët kanë dhënë verdiktin e tyre historik në prani të trupit diplomatik dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare të akredituar në Shqipëri të pranishëm në sallë.

Kryeministri Berisha e ka konsideruar këtë ditë si ngjarjen e dytë historike për kombin pas shpalljes së pavarësisë.

Sali Berisha: “Sot në këtë parlament, ne votojmë aktin më historik, më solemn, më të rëndësishëm të të gjithë historisë sonë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë. Ne sot votojmë si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, aleancën më të fuqishme, më të shkëlqyer të lirisë së të gjitha kohërave. Ne votojmë sot  në këtë parlament për të garantuar sot e tutje liritë tona. Unë ndodhem këtu, për t’u zotuar solemnisht se do të bëj çdo përpjekje që këtë besim të madh të paprecedent në historinë e kombit tim, të kombeve të qytetëruara, ta shndërrojë në vlera të mëdha, ta shndërrojë në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, ta shndërroj në aftësinë e saj për të qëndruar krah për krah vendeve aleate në të katërt anët e planetit ku të jetë e nevojshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Pata rastin të jem i pari nga opozitarët e vendeve ish komuniste, që të kërkoj anëtarësimin e  vendit tim në NATO, kjo është dita më e lumtur e jetës sime. Sot është një ditë të kujtojmë me mirënjohje dhe nderim të madh të gjithë atë solidaritet të jashtëzakonshëm që kombet e qytetëruara, të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kombet e tjera, dëshmuan ndaj nesh. Një mirënjohje të jashtëzakonshme duhet t’i shprehim sot ne qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit George W. Bush. Ky mik i madh i kombit shqiptar, solli në qershor të vitit 2007 mesazhet e mëdha dhe historike të kombit të madh amerikan, Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO.”

Dukë e vlerësuar këtë ditë si shumë të rëndësishme për vendin edhe kryetarja e grupit të Partisë Socialiste Valentina Leskaj ka shprehur mirënjohjen e saj për vendet që pranuan Shqipërinë në NATO.

Valentina Leskaj: “Ratifikimi në një kohë të shkurtër nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të NATO-s dhe anëtarësimi që pritet të vijë në samitin e Kelhn Strasburgut janë mbështetje dhe konfirmimi i partneritetit strategjik dhe i marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera anëtare të Aleancës, të cilave neve shqiptarët duhet t’u jemi mirënjohës. Ka ardhur momenti kur Shqipëria renditet me dinjitet si një anëtare me të drejta të plota krah demokracive perëndimore, në një aleancë të vlerave demokratike. Si përfaqësuese e Partisë Socialiste në parlament, grupi ynë parlamentar jemi krenar për kontributin që kemi dhënë në këtë proces dhe që lidhet me ringritjen  e ushtrisë pas ngjarjeve të rënda të vitit 97. Duke mundësuar që Shqipëria të bëhet ndër vendet e para që ju bashkuan koalicionit antiterror me dërgimin e trupave në Afganistan dhe Irak.”

Kjo ditë e rëndësishme për Shqipërinë do të fiksohet edhe në albumin personal të deputetëve të cilët në fund të kësaj seance të posaçme historike bënë një fotografi në kujtim të një dite të rëndësishme kombëtare./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi