Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Çështja e pronave mbetet kapitull i hapur për Partinë Demokratike. Besimi i opozitës, se do të vijë në pushtet në zgjedhjet e 2005, do të rikthejë përsëri në parlament projektligjin e pronave, për të korrigjuar edhe njëherë amendamentet, të cilat nuk u pranuan nga socialistët.

Nënkryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli shprehet, se çështja e pronave do të gjejë zgjidhje edhe pse në një kohë të vonë.

Jozefina Topalli: “Gjërat e bëra keq janë për t’u korrigju dhe korrigjohen kur ke mazhorancën, kështu që besoj që pas një viti ato janë për t’u korrigju nga mazhoranca e ardhshme që do të korrigjohet pas 2005”.

Guri i fundit që mund të luajë tashmë është Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, ku PD beson. Është kërkuar shpesh herë prej demokratëve që kreu i shtetit të ndërhyjë në këtë çështje. Tashmë e djathta kërkon që Moisiu të mos dekretojë projektligjin që u miratua pa konsensusin e opozitës./tvklan.al