#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #Jeta#Gjino#kanjemesazhperty

Nëna e vërtetë e Dhuratës

“26 vite diferencë nuk e penguan mamin të dashurohej me babin që doli nga burgu për vrasje”

Në këtë puntatë të “Ka Një Mesazh Për Ty”, historia nuk vjen nga një e-mail në redaksinë e programit, por nga mesi i publikut të “E diela shqiptare” në Tv Klan. Dhurata është prej një viti pjesë e publikut të emisionit dhe historia e saj u zbulua krejt rastësisht. Shumë e emocionuar, ajo ulet në vendin e të ftuarit të parë të rubrikës dhe mes lotëve që e mbysin, nis të rrëfejë për jetën e saj.

Dhurata: Babai im ka bërë 30 vjet burg sepse kreu një vrasje. Doli nga burgu dhe u njoh me mamanë time, Dianën. Ajo ishte 24 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Pra mamaja ishte 24 vjeçe, ndërsa babai?

Dhurata: Ai ka qenë më i madh në moshë.

Ardit Gjebrea: Sepse kur e kreu vrasjen sa vjeç ishte?

Dhurata: 20 vjeç.

Ardit Gjebrea: Dhe 30, i bie 50 vjeç, kështu që i bie gati 26 vjeç diferencë me mamin. Si u njohën?

Dhurata: U dashuruan me shikim të parë, pavarësisht se mamaja ime ishte e sëmurë.

Ardit Gjebrea: Çfarë kishte?

Dhurata: Depresion.

Ardit Gjebrea: Babi çfarë tipi ishte?

Dhurata: Nuk e kam njohur.

Ardit Gjebrea: Ah, ti nuk e ke njohur babin.

Dhurata: Fare. Ndjesë. Nuk kam jetuar fare.

Ardit Gjebrea: Po ti kur linde, vajte në shtëpi?

Dhurata: Jo.

Ardit Gjebrea: Po ku ndenje??

Dhurata: Në spital.

Ardit Gjebrea: Në maternitet?

Dhurata: Po. Nuk kishin mundësi të më mbanin.

Ardit Gjebrea: Ti ishe vajzë e vetme?

Dhurata: Po. Isha fëmija i parë.

“Kam fjetur në tualet”, Dhurata rrëfen dhunën sistematike nga kujdestarja: S’dua ta shoh me sy

Dhurata, e cila prej një viti është pjesë e publikut të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, ka rrëfyer historinë e jetës së saj të vështirë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Babai i saj, një ish i burgosur për 30 vite për një vrasje, u dashurua me nënën e vajzës, e cila asokohe ishte 24 vjeç dhe vuante nga depresioni.

Kur erdhi në jetë Dhurata, prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin dhe e lanë në maternitet vajzën e tyre të vetme dhe fëmijën e tyre të parë. Dy vite më vonë, lindi vëllai i vogël i Dhuratës, i cili po njësoj si e motra, ndenji në spital e më pas u dërgua në jetimore. Kur kujton kohët në jetimore, Dhurata nis të dridhet e të lotojë.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote aty, ma trego pak?

Dhurata: Me kujdestaren e parë që kam pasur, nuk ka qenë e mirë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Dhurata: Kam pasur dhunë. Kam fjetur në tualet.

Ardit Gjebrea: Po pse nuk tregoje?

Dhurata: Po se na rrihte. Edhe kur kam lajmëruar drejtorin nja dy herë, kisha frikë t’i tregoja sepse kur ikte drejtori, vazhdonte avazin.

Ardit Gjebrea: Po mami me babin vinin të të shikonin ndonjëherë?

Dhurata: Vinin më shikonin, por ka pasur raste që nuk i dilja.

Ardit Gjebrea: Pse?

Dhurata: Po se s’i doja.

Dhuna nga kujdestarja vazhdoi nga klasa e parë deri në të katërtën për Dhuratën, por gjithçka ndryshoi gjatë pushimeve verore dhe për të ishte dita më e lumtur.

Dhurata: Ishim në shkollën e Marinës, bënim plazh dhe u ankuam te dy drejtorët e institucionit dhe ishte moment më i bukur i jetës time kur e larguan. Në atë moment ka qenë edhe një kujdestare që erdhi pasi u largua kujdestarja e parë, që e kam ftuar sot.

Ardit Gjebrea: Kë ke ftuar, të parën apo të dytën?

Dhurata: Të dytën.

Ardit Gjebrea: Pse nuk ftove të parën?

Dhurata: Se s’dua ta shoh me sy.

“M’u shemb bota”, vajza kujton jetën me prindërit pas jetimores:Babai më dhunonte, më mbante mbyllur

Jeta në jetimore e Dhuratës, e cila po rrëfen gjithçka në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori. Historinë e saj e kanë ditur vetëm dy mikeshat e saj të ngushta, ndërsa sot vendosi ta ndajë në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Deri në moshën 18-vjeçare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.

Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?

Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.

Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?

Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.

Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?

Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.

Ardit Gjebrea: Mami u shërua apo vazhdonte e sëmurë?

Dhurata: Jo, vazhdon akoma. Pavarësisht se babai ka ndërruar jetë, nuk jeton më.

Ardit Gjebrea: Dhuna e babait me siguri ka ndikuar edhe në shëndetin e mamit, apo jo?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti, jo vetëm që shikoje dhunën e babait ndaj nënës, por edhe ti vetë dhunoheshe.

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi që një baba mund të dhunojë një vajzë?

Dhurata: Se donte gjatë gjithë kohës që ta laja, ta pastroja, të kujdesesha për të, kupton? Unë nuk e ndieja.

Ardit Gjebrea: Shiko që të kujdesesh për prindin nuk është keq.

Dhurata: Nuk është keq, po kur ka qenë ai për mua kur kam pasur unë nevojë? Prind nuk është ai që të lind, prind është ai që të rrit.

U rrit në jetimore, Dhurata falenderon nëna Donën: Kam ikur nga ty, por të kam në zemër

Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Dhurata ka ftuar Donikën ose siç e quan ajo, nëna Donën. Në historinë e dhimbshme që ndau në këtë pjesë të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, nëna Dona ka qenë mburoja dhe streha e sigurt e Dhuratës.

Të dyja u njohën kur Dhurata jetonte në jetimore, e trembur, e dhunuar dhe Donika nisi ta rriste e ta mbronte. Ajo i qëndronte pranë për mësimet, e trajtonte me dashuri, të vetmen dashuri që Dhurata kishte njohur në jetë.

Më pas, kur ajo shkoi te prindërit, ku babai e rrihte ndërsa nëna vijonte të ishte në depression e të mos ishte prezente, Donika i blinte veshje, i jepte para, ishte veç një telefonatë larg. Sot, Dhurata është 30 vjeçe, është martuar, ka një djalë 6 vjeç e një jetë të lumtur, por ka një mesazh për njeriun që e konsideron gjysmën e saj.

DhurataTë falënderoj për çdo gjë që ke bërë për mua. Që më je gjendur pranë në çdo moment të mirë, të keq. Dua të dish një gjë. Që vërtet kam ikur nga ty, por dije që të kam në zemër.

Donika: Edhe unë ty të kam shumë në zemër.

DhurataNuk do ta harroj kurrë.

Donika: Dhe të kam thënë në çdo moment bjeri telefonit në çdo hall dhe problem që të kesh. Edhe pse ka ikur nga mua, të dua pafund.

Dhurata: Edhe unë.

Premtimet e Alketës për vjehrrën

Nusja e “dashuruar” me vjehrrën kujton takimin e parë: Më kapi dhe përkëdheli dorën

Alketa, e ftuara e dytë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke thyer një tabu të madhe sepse është një nuse që ka ardhur për vjehrrën e saj. Ajo tregon në këtë rubrikë të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan se me vjehrrën u “dashurua” 9 vite më parë, ndërsa bashkëshortin e ka njohur me shkuesi.

E ndodhur në një gëzim familjar, Alketa ndodhej e ulur mes vjehrrës dhe kunatës së ardhshme. Ajo kujton momentin e parë kur ndjeu një ngrohtësi të papritur prej saj dhe vendosi t’i rrëfente për veten, duke e “trembur” pak.

Alketa: Vjehrra më kap dorën dhe më përkëdhel në dorë dhe thoja me vete, uau, kjo është vjehrra që dua. Dhe aty shtang menjëherë dhe them me vete të gjithë të vërtetën se si jam si vajzë.

Ardit Gjebrea: Cila je ti si vajzë?

Alketa: Unë jam vajzë çikë rebele, nuk e di, jam shumë e egër edhe si rebele edhe si… në të gjitha format.

Ardit Gjebrea: Por nuk ia the vjehrrës që ditën e parë? Nuk e trembe?

Alketa: Jo, nuk ia thashë, por e tremba në njëfarë forme tjetër.

Ardit Gjebrea: Për shembull?

Alketa: Për shembull, i thashë unë si vajzë zgjohem në orën 10 të drekës, kur bëj punët nuk dua asnjë në shtëpi. Dua të kem televizorin dhe shtëpinë të gjithën për vete sepse e ngre në kupë të qiellit televizorin.

Ardit Gjebrea: Më fal, ia the në momentin e parë vjehrrës?

Alketa: Po, që në momentin e parë.

Ardit Gjebrea: Sapo e takove?

Alketa: Sapo e takova.

Vjehrra u diagnostikua me kancer gjiri, nusja: Është heroina e gjithçkaje, e përballoi situatën vetë

Një nuse që ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrika e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, po tregon dashurinë që ndien ndaj vjehrrës së saj. Alketa thotë se vjehrra e saj është gjithçka, ajo e thërret “mama” sepse ndihet sikur është vajza e saj.

Sipas saj, vjehrra i është gjendur pranë dhe e ka ndihmuar për shumë gjëra, është kujdesur për të dhe kjo është arsyeja pse ajo dëshiron ta falenderojë.

Alketa: Unë sot e kam ftuar për ta falënderuar. Ajo ishte heroina e gjithçkaje. Në vitin 2021 më vdiq im atë dhe ajo më qëndroi shumë pranë që ta kaloja këtë gjë. Ajo ishte diagnostikuar dhe me Covid, kaluam shumë, shumë peripeci të ndryshme, disfata të ndryshme.

Më pas, shtatzënia me vajzën që kisha, erdhi shumë e lodhshme, me shumë probleme. Madje kur kam lindur vajzën më 27 Qershor 2021 u detyrova të bëj një operacion të dytë brenda po këtij muaji për faktin sepse e gjithë zona e barkut kishte marrë një infeksion. Dhe ishte ajo që më tha “çohu të vizitohesh” sepse vuaja dy javë e gjysmë me një temperaturë 39 e gjysmë, me ethe dhe vetëm ajo ishte principi që të më çonte për të më vizituar, për të bërë një vizitë te mjeku. Edhe pse unë isha personel shëndetësor, ajo më thoshte “ti nuk mendon për vete, mendon më shumë për të tjerët”. Arrita  të operohesha, ajo qante më shumë se ç’qaja unë për veten time. Unë qaja më shumë për atë dhe fëmijët e mi që kisha lënë përkrah saj sepse thoja me vete ajo do lodhet, fëmija është i vogël, shumë gjëra.

Alketa është nëna e dy fëmijëve, një djali e një vajze.

Alketa: Pikërisht pas disfatave që kaluam pas operacionit të lindjes time të vështirë, mami diagnostikohet me kancer të gjirit.

Ardit Gjebrea: Mami i thua vjehrrës apo jo?

Alketa: Po.

Ardit Gjebrea: Po si i thërret mamit?

Alketa: Mami i thërras dhe asaj, edhe ajo është shumë e mirë, madje po të ishte afër meje edhe ajo do bënte siç bën mami im, siç bën vjehrra.

Ardit Gjebrea: Na bëre çorap, siç bënte mami, po të ishte mami, siç bënte mami. Atëherë, cila është kush?

Alketa: Dhe mami im, do bënte të njëjtën gjë siç bën dhe vjehrra. Ajo u diagnostikua me kancer të gjirit, arriti ta përballojë të gjithë situatën vetë. Madje ne të gjithë si familje nuk ishim të fortë që t’i jepnim kurajo asaj, ajo na dha kurajo neve. Do të them diçka thotë, nëse deri sot keni bërtitur shumë, sot do të bërtisni më pak. Nëse deri më sot keni dalë 100 herë, sot do dilni vetëm 1 herë. Nëse deri sot keni harxhuar më shumë, do harxhoni më pak.

Sepse vjehrrën time, kështu thotë gjithmonë, e ka huqin ta thotë për mua, “i ke të gjitha të mirat si nuse po vetëm ul zërin se jemi në pallat, nuk jemi në shtëpi private ku nuk të dëgjon asnjeri, kështu”. I them o ma, po ky është toni im, nuk është se dua unë që ta ngre zërin. “Po 9 vite s’u mësove me mua duke të thënë 100 herë, ule zërin, ule zërin?” Dhe prandaj unë sot do ia them këtë gjë, që ta premtoj që do e ul zërin.

“Do ul tonin e zërit si dhe faturat e ujit e dritave”, vjehrrit e presin me batuta premtimin e nuses

“Mami” dhe “babi” i Alketës, që në fakt janë vjehrri dhe vjehrra e saj, janë njerëzit që ajo ka përzgjedhur për të ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Më herët, ajo tregoi në rubrikën e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan për marrëdhënien e veçantë që ka me ta, sidomos me vjehrrën, Nadiren.

Me të zihet për tonin e zërit pasi përveçse e ka të lartë, vjehrra nuk duron kur i bërtet djalit të vogël. Ndërsa me vjehrrin grindjet janë për shpenzimet sepse ai e akuzon që ajo nuk kursehet shumë.

Arsyeja kryesore pse Alketa i ka ftuar është situata e vështirë shëndetësore që kaloi vjehrra me kancerin e gjirit. Përveç mirënjohjes, Alketa dëshiron t’i japë edhe një premtim dy të çmuarve të saj.

Alketa: Mami, babi, tani unë më ty zihem gjithmonë “vetëm toni i zërit ule, 9 vite s’u mësove duke ulur tonin e zërit”. Ndërsa me ty bushi zihemi sepse harxhoj shumë, fatura e dritave, fatura e ujit… Dhe sot, mbi të gjitha, kam ftuar mamin për vetë faktin se nuk kam qëndruar fare pranë jush ose pranë mamit për ta përballuar gjithë atë stuhi që kishim me mamin, por falë Zotit kaloi gjithçka dhe me forcën tënde arrite t’ia dalësh mbanë çdo gjëje duke na dhënë forcë madje edhe neve, jo vetes tënde dhe sëmundjes tënde, por mbi të gjitha ishte edhe babi përkrah që na dha ndihmë në çdo gjë. Të paktën më duroi mua në shumë gjëra dhe ti e di. Dhe sot ju premtoj që zërin do e ul pak. Madje edhe atë pjesën e faturës së dritave ose të ujit, çikë më pak.

Pëllumb: Faleminderit.

Nadire: Ishalla.

Alketa: Do e rregullojmë./tvklan.al