Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Spartak Ngjela, ka premtuar shumë për biznesin e vogël dhe të mesëm. Gjendja që kanë krijuar socialistët për këtë shtresë, sipas Ngjelës është e papranueshme. Koncepti i sotëm i të majtës në pushtet për qytetin, i përgjigjet një modeli që ha vetveten shprehet Ngjela. Një qytet që nuk zhvillohet, pasi i kanë hequr motorin e tij që është tregu.

Spartak Ngjela:- “Trajtim barbar prej kulaku, të biznesit të vogël, madje edhe të mesëm, me zhvatje, pa sistem fiskal. Kjo është arsyeja që ne na dhëmb kur e shikojmë tregun në këtë gjendje. Pa le të thonë, të bërtasin e të flasin, le që kurrë nuk do ta njohin dot tregun, kurrë këta zhvatës, që kanë ardhur për të marrë”.

Ngjela ka kritikuar ashpër pushtetin vendor për indiferencën e tij për shkollat e kryeqytetit, ku në mjaft raste sipas tij, shkollat po shkatërrohen me qëllim që të shfrytëzohet trualli.

Spartak Ngjela:- “Arsimi është në një gjendje të mjerë. Në qytet ka filuar një betejë e madhe trualli, për t’i shndërruar shkollat në ndërtime”.

Për premtimet e bëra, Ngjela siguroi, se një kryebashkiak duhet të ketë transparencë me fondet e pushtetit vendor dhe përgjegjësi në detyrë.

Paradite kandidati Ngjela ka takuar tregtarët çamë në qendër të kryeqytetit, të cilët shprehën ankesat e tyre për taksat e larta në raport jo të drejt për kushtet që u plotësohen për tregtinë e tyre, duke pasur parasysh infrastrukturën e dobët./tvklan.al